Arrestohet polici në Fushë-Krujë, nuk raportonte për kanabisin

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka arrestuar një ish-inspektor të Policisë, pasi nuk ka raportuar për mbjelljen e kanabisit në zonën që mbulonte në Fushë Krujë.

Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme bëjnë të ditur se është dhënë masa e sigurisë arrest me burg për Osman Rexhën.

Pas një hetimi 3 mujor në bashkëpunim me Prokurorinë, është provuar se inspektori Rexha, me detyrë ndihmës specialist i Policisë së Zonës në Komisariatin e Krujës jo vetëm që nuk ka dhënë informacion por ka lejuar mbjelljen dhe kultivimin e bimëve narkotike, në zonën që mbulonte.

Më 25 maj të këtij viti në fshatin Larushk policia zbuloi një sipërfaqe toke të mbjellë me rreth 6 mijë rrënjë kanabis, në pronësi të shtetasit Isuf Tema. Parcela nuk është raportuar nga inspektori i zonës, Rexha. Krahas kësaj sasie, më 22 korrik janë identifikuar dhe 3 parcela të tjera të kultivuara me bimë narkotike, në fshatrat Larushk dhe Zezë, në të njëjtën zonë që mbulon inspektori.

Pas operacionit për asgjësimin e bimëve narkotike, Policia e Shtetit, përjashtoi për shkelje të rënda inspektorin, ndërsa SHÇBA nisi procedimin për shkelje të detyrës.

SHKARKO APP