ARRSH sugjeron rrugë alternative pas bllokimit të aksit Librazhd–Prrenjas
Drejtuesit e mjeteve në zonën e Librazhd–Prrenjas duhet të përdorin akse alternative mbrëmjen e kësaj të shtune, deri në një afat të pacaktuar, për shkak të bllokimit të aksit nacional në vendin e quajtur Arrat e Gurrës.
Si pasojë e situatës së rënduar që ka vijuar përgjatë gjithë ditës së sotme, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) për t’i ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve, ka sugjeruar përdorimin e akseve alternative si më poshtë:
Për autoveturat:
✓ Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan
✓ Qafthanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë
Për mjetet e tonazhit të rëndë:
✓ Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbërit
“Duke kërkuar mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe të gjithë banorëve të zonës, ju lutemi të ndiqni me kujdes sinjalistikën rrugore si dhe udhëzimet e Policisë Rrugore. Faleminderit për bashkëpunimin.”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.
Segmenti Librazhd-Pogradec kishte krijuar problematika prej disa ditësh për shkak të rrëshqitjes dhe çarjes së rrugës. Sot u ndalua kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë dhe autobusëve, por siç duket kjo masë nuk ishte e mjaftueshme dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi ndalimin e qarkullimit për të gjitha mjetet.
Megjithatë, u caktua si rrugë alternative aksi Maliq-Lozhan-Moglicë-Elbasan dhe anasjelltas. Por vetëm për mjetet e vogla.
Pavarësisht kësaj, mjetet e tonazhit të rëndë u lejuan nga policia e Librazhdit të kalojnë dhe si pasojë ndodhi dhe bllokimi i rrugës alternative, duke krijuar radhë kilometrike dhe kaos për orë të tëra.
KOHA JONË SONDAZH

