Arsenal armësh në banesë, pranga 70-vjeçarit në Durrës
Një 70-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi policia i ka gjetur dhe ka sekuestruar në banesë një sasi armësh, mes të cilave pjesë armësh zjarri, armë gjahu, armë të ftohta, një Kallashnikov dhe një sasi e konsiderueshme municioni luftarak. Në kuadër të operacionit “Types”, në pranga ra shtetasi Sokol Buli, banues në fshatin Likmetaj të Durrësit. Forcat e policisë kanë gjetur dhe kanë sekuestruar me cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri kallashnikov, pjesë armësh zjarri, 2 armë gjahu, 462 fishekë të këtyre armëve dhe 1 armë të ftohtë (thikë).
“Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga pronari i banesës, i cili kishte fshehur arsenalin e armëve dhe të municionit, shtetasi S. B., 70 vjeç. Kallashnikovi u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse është përdorur apo jo, për ngjarje kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.