Arta Dade: Mazhoranca duhet të gjejë kryeministër tjetër, ndryshe…
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Arta Dade në një intervistë për emisionin “Tempora” në RTV Ora foli për nevojën që ka Shqipëria për krijimin e një lëvizje brenda PS-së, që do të mendojë për interesat e Shqipërisë.
“Dikur PS-ja mendonte se mund të sakrifikonte pushtetin për të bërë shtetin, ndërsa tani forca politike kërkon të sakrifikojë shtetin për të mbajtur me thonjë pushtetin. Besoj se për sa kohë mungon vullneti politik dhe këtu dua të inkurajoj kolegët e mi që ndodhen në grupin e mazhorancës, realisht zërat nuk kanë munguar. Kujtoj Bushatin që bëri thirrje për dialog. Ne duhet ta gjejmë forcën që të mendojmë për interesa madhore të Shqipërisë”, u shpreh Arta Dade.
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, deklaroi se segmente shumë të rëndësishme të shtetit nuk funksionojnë. Dade theksoi gjithashtu se në vend është cënuar siguria kombëtare në mënyrë serioze, ndërsa pushteti ekzekutiv është kapur nga korrupsioni.
“Nuk mendoj që kemi një kapje të shtetit në kuptimin klasik të fjalës, por është shqetësuese që ka segmente shumë të rëndësishme të shtetit që nuk po funksionojnë. Pra kam parasysh pushtetin gjyqësor, por mbi të gjitha Gjykata Kushtetuese që ka kohë e cila nuk funksionin. Kam parasysh edhe Parlamentin, i cili nuk punon në kapacitetin dhe në formatin e tij të zakontë me djegien e mandateve nga ana e opozitës që është një gjë e paprecedentë, që dëmton shumë rëndë funksionimin e parlamentit, dëmton shumë rëndë demokracionë dhe dëmton shumë rëndë vetë opozitën. Kemi një sërë institucionesh që nuk po funksionojnë, është cënuar siguria në mënyrë serioze, në vend dhe unë besoj se segmente shumë të rëndësishme të shtetit, si ekzekutivi janë kapur nga korrupsioni. Kemi një rezultat të munguar në luftën kundër krimit të organizuar”, tha Arta Dade.
“Të largohet Kryeministri, qeveria është kapur në skandale”
Arta Dade u shpreh se mazhoranca duhet të kërkojë largimin e kryeministrit Edi Rama, për zgjidhjen e krizës politike.
“Nuk e shikoj zgjidhjen e krizës politike shumë të afërt, për arsye se mungon vullneti politik. Mazhoranca duhet ta zgjidhi këtë problem duke kërkuar që kryeministri të largohet, të vendoset një kryeministër tjetër që duhet të jetë më i pranueshëm dhe që nuk mbart përgjegjësi kaq të mëdha mbi veten. Sepse dihet që kemi një mazhorancë që është kapur në skandale”- deklaroi Arta Dade.
“Protestat e opozitës nuk dëmtojnë integrimin”
Ish-deputetja socialiste Arta Dade u shpreh se protestat e opozitës nuk e dëmtojnë hapjen e negociatave.
“Nuk besoj që protestat e opozitës dëmtojnë, apo janë arsye që Shqipëria të mos marri “OK” për hapjen e negociatave. Mendoj se arsyeja kryesore e gjithëkahershme ka qenë konfliktualiteti politik dhe për këtë janë përgjegjës të dy kahët politik”, tha Arta Dade.
Prej disa javësh brenda selisë së PS-së kanë filluar zërat kundër mënyrës se si drejton qeverinë dhe PS-në, kryeministri arrogant Rama. I pari ka qenë Fatmir Xhafaj, më pas doli ish-ministri jashtëm Ditmir Bushati, pa harruar ministrin aktual Pandeli Majko.