Artan Lame: Kryeministri e kryebashkiakët të mos japin dot leje

 

Artan Lame, Këshilltari i Kryeministrit Edi Rama kërkon miratimin e një nisme ligjore që do të kufizonte firmën e kryetarëve të njësive vendore, Kryeministrit apo ministrave pas ditës së zgjedhjeve.

Përmes një shkrimi në profilin e tij në rrjetet sociale Lame propozon që të kufizohet e drejta e firmës për dhënien e lejeve të ndërtimit, studimeve urbanistike, planeve rregullues, koncesioneve, licencave, prokurimeve.

Komenti i plotë:

Erioni dje dhe Taulanti sot, denoncuan një leje skandaloze të firmosur nga paraardhësi i Erionit, Lul Basha. Unë që e njoh mirë atë pallat, ndërtimi i të cilit ka 17-vjet që vjen vërdallë nëpër qytet, mund t’ju dëshmoj që është vërtet një plagë tjetër mbi faqen e Tiranës. Por nuk e kam këtu fjalën.

E kam tek pushtetarët që vazhdojnë të firmosin leje ndërtimi, tendera e koncesione, licenca e favore deri ditën e fundit që janë nëpër zyra. Historikisht në këtë çerek shekulli, pisllëqet më të ndyra nuk janë bërë kur qeveritë dhe kryebashkiakët kanë zënë zyrat, por në javët dhe ditët e fundit përpara se të dorëzojnë vulat.

Është e domosdoshme që të miratohet një ligj që kufizon të drejtën e firmës për pushtetarë të cilët janë në fund të mandatit.

Mjafton një ligj fare i shkurtër, me dy a tri nene, që t’i vërë fre kësaj plaçkitjeje. Pak a shumë kështu:

Projektligj

Kryeministri dhe Ministrat pas ditës së zgjedhjeve të përgjithshme dhe Kryetarët e Bashkive pas ditës së zgjedhjeve vendore, nuk mund të miratojnë më:

Leje ndërtimi, studime urbanistike, plane rregullues, koncesione, licenca, prokurime dhe të tjera të ngjashme.

Akte të tjera, efektet e të cilave shtrihen përtej 6 muajve nga dita e zgjedhjeve.

Firma e tyre, nga dita e zgjedhjeve të përgjithshme apo vendore sipas rastit, kufizohet në akte të administrimit të zakonshëm të institucionit.

Kaq.

Miqtë e mi, Erion, në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës së Bashkive, dhe ti Taulant, në cilësinë e ligjvënësit, merreni nismën për një ligj të tillë, mjaft më me denoncime. Ata që ikën shkuan e vanë, të mos gënjejmë veten se do merret drejtësia me ta. Të shohim përpara dhe të japim shembullin e të mirës për nesër.

SHKARKO APP