Artan Lame, Sulltan Sulejmani i filmit dhe Kryeministri Rama

 

 

Artan Lame ka reaguar në një mënyrë "ediste" rreth një pllake të Sulejmanit të vendosur e thyer në Kalanë e Lezhës, ndonëse ka njëfarë të drejte, porse mllefoshfrenia e tij ndaj një populli të lashtë e historibërës, siç është Lezha të jep idenë sikur Artan Lame është para një sofre paraelektorale vendore, kur ndante çertifikatat e legalizimit, tek Memoriali i Gjergj Kastriotit, nën hyqmin e davatë ironibërese të “Sulltan EdRamës së I-rë”.

Nuk mundet kurrsesi një shfryrje e tillë inati e dufi germashkruesi. Ironia dhe shfrenia e tij meriton që kur të vijë herën tjetër në Lezhë, para fushatës elektorale parlamentare, me letra legalizimi në qafë t’i thuhet se lezhjanët nuk janë nga ato që Edi Rama vuri në listë si deputetë, e që për turp, kryeministri i cili i emëron Lam’artanin tonë, e denigroi Lezhën, duke e përfaqësuar me ato që vuri e që ia arrestuan.

Lezha është një prej qyteteve më të lashta jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Ballkanit, Europës e botes, e cila i ka dhënë shumë kulturës  e historisë kombëtare në mënyrë të veçantë. Është historikisht i njohur 2 marsi 1444, kur në qytetin e Lezhës, që ishte në zotërimin e Venedikut, u organizua Kuvendi i Princërve Shqiptare nën drejtimin e Gjergj Kastriot Skenderbeut. Aty morën pjesë princat shqiptarë, deri atëkohë të përçarë, si Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Nikollë Dukagjini, Pal Dukagjini, Teodor Korona , Muzaka, Lek Zaharia, Lek Dushmani, Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani, Stefan Cenojeviçi, etj.. Ky kuvend u bë në Katedrelan e Shën Nikollës dhe jo rastësisht në Lezhë. Kuvendi krijoi "Lidhjen Shqiptare" me Skenderbeun, si kryetar të saj.

Kuvendi i Lezhës është nga ngjarjet më të mëdha unifikuese të kombit shqiptar në histori. Po në Lezhë është mbledhur në janar të vitit 1703, në fshatin Merqi, ai që njihet si Kuvendi i Arbënit, i njohur ndryshe edhe si Koncili i Arbnit. Ky Kuvend u bë me nismën e Papës me origjinë shqiptare, Klementi i XI. Kuvendi i Arbnit mori vendime të rëndësishme, jo vetem të karakterit organizativ fetar, por edhe politik dhe atdhetar. Ky Kuvend është më i rëndësishmi, pas Kuvendit të mbajtur po në Lezhë nga Skenderbeu më 2 mars 1444. Po nga Lezha është Frang Bardhi (1606-1643) , bile nga Kallmeti, Ipeshkëv i Sapës (Zadrimës). Ai është autor i më të parit Fjalor Latinisht-Shqip (Romë,1635) me rreth 5 mijë fjalë dhe i Apologjisë për Skënderbeun (Venecia, 1936), shkruar në latinisht. Përsëri nga Lezha është edhe Pjetër Zarishi (1806-1866), prifti nga Blinishti i Zadrimës, i doktoruar për teologji. Ai është ndër poetët nismëtarë të Rilindjes sonë Kombëtare, së bashku me franceskanin Leonardo De Martino (1830-1923). Me leksikologji u muar edhe Nikollë Gazulli (1894-1946), lindur në Dajç të Zadrimës në Lezhë, ku mori edhe mësimet e para prej Ndre Mjedës, ndërsa studimet e larta teologjike i kreu në Austri. Nga Lezha, i lindur në Fishtë dhe nxënës i kolegjit të Troshanit (të dy fshatra zadrimorë, në rrethinat e Lezhës), është i madhi poeti Gjergj Fishta (1871-1940).

Ndërsa më vonë në ditët tona Ndoc Gjetja, një penë magjepsëse e poezisë, nga Lezha shkoi në Tiranë e bëri epokën e tij letrare me heshtjen e tij prej "Jezu Krishti".

Prandaj, është e udhës, që përpara se të na "japë" leksione të panevojshme historie e ironie, Artan Lame të bëjë një dush me ujë të ftohtë e të gjykojë drejt, përtej petkut të politikanit, apo paragjykimeve krahinore!  

Redaksia

 

Ja shkrimi i Artan Lames:

HIQINI TE GJITHA!

E nderuar zonja Ministre e Kulturës,

Sapo mësova nga mediat se pllaka e sulltan Sulejmanit në kala të Lezhës është dëmtuar duke dashur ta thyejnë. Nuk bie asfare në kurthin shumë joshës për t’i krahasuar Lezhëthyesit me Palmiraerëhedhësit, sepse historia është plot me të tillë shembuj që besonim se të paktën në Evropën të cilës i kem i zënë derën, janë harruar prej disa shekujsh.

Përpara se të urtët të vazhdojnë të debatojnë, kam frikë se të marrët do kenë mbaruar punë, ndaj zonja ministre hiqeni urgjentisht pllakën kushtimore nga hyrja e kalasë dhe mbylleni me shtatë kyçe në magazinë atje ku ishte.

Jo më larg se tri ditë të shkuara shkrojta që: “Ditën që do thyejmë pllakën (dhe ju garantoj që do t’a thyejnë) do kemi një dëshmi më pak të faktit që në këtë vend kanë banuar njerëz aso kohe, e jo vetëm çakej pylli e arinj mali”. Paskam qenë vërtet gojëters, por tani që këtij qëllimi nacionalist patriotik ja arritëm, s’ka kuptim që pllaka të qëndrojë më atje.

Mora vesh që lezhianët qenkan ngritur që të hiqet edhe mbishkrimi i Jul Cezarit nga parku arkeologjik i Vendvarrimit të Skënderbeut http://ëëë.panorama.com.al/lezhjanet-dalin-edhe-kunder-jul…/. Dëgjomë mua, hiqe urgjent edhe atë, përpara se ndonjë patriot autoktonus, në pushimin midis dy pjesëve të ndeshjes me Serbinë, i mbushur me afsh patriotik flamurdashës, të mos shkojë ta thyejë edhe atë.

Në hyrje të Kalasë së Krujës janë dy mbishkrime kushtimore të shkruara në osmanishten e pushtonjësve gjakpirës. Urgjent shkoni hiqini edhe ato. Është pak e vështirë t’i shikoni ku janë, aq të mbytura janë midis betonit të ndërtimeve pa leje që po mbysin kalanë me gjithë Heroin mbarëkombëtar legjendar, por mund t’ju ndihmoj unë t’i gjeni dhe t’i hiqni. Kujdes kur t’i hiqni se mos gërvishtni murin e ndonjë prej klubeve pa leje të atyshëm, se për këtë s’të fal pronari atdhedashës. Atdheu atdhe, por biznesi eshte biznes ama!

Urgjent pastaj kthehu në Tiranë të hiqni mbishkrimin aq elegant nga xhamia e Ethem beut në Tiranë, si edhe mbishkrimet latinisht nga basorelievet e Maternitetit. Sa për kujtesë, edhe maternitetin e kanë ndërtuar pushtonjësit italianë dhe këta ishin një lloj pushtonjësi shumë dinak. Aq të këqinj ishin, saqë duke na ndërtuar pallate, bulevarde, ministritë, bankën, ura e rrugë, e deri edhe maternitetin, deshën të na mashtronin dhe të na hidhnin hi syve. E kujt pa, neve, kombit kordhëtar, që e kemi çarë rrugën e historisë me pallë në dorë!

Dhe meqë ra llafi tek Italianët, urgjent duhet hequr edhe kulla e sahatit që sapo u rikonstruktua në Vlorë, se edhe atë italianët pushtues e kanë ndërtuar në vitin 1918, kur deshën të na gënjejnë dhe të na marrin Vlorën me gjithë vlonjatë. Sa budallenj! Po pse deshën të na i marrin, kur ne ju shkuam vetë më ‘90-ën me kuç e me maç!?

Pa duhen hequr relievet me simbole bizantine nga të gjitha kishat, që nga ato të Apolonisë e deri tek ato të Mesopotamit. Janë ca relieve bajagi të bukura, me shqipe e luanë, që i ka skalisur pushtonjësi bizantin.

Pastaj duhen hequr e fshehur mbishkrimet slave nga Kisha e Shirgjit, nga Kisha e Ballshit e nga janë e nga s’janë. Me sllavët kemi goxha hesape për të larë dhe, meqë nuk kemi ç’u bëjmë të sotmëve, të paktën t’ua nxjerrim inatin trimëror atyre të para njëmijëvjetëve.

Urgjent duhen hequr pllakat me mbishkrime osmane nga kalaja e Janinës, ato me mbishkrime slave nga Manastiri i Shën Naumit, ato me… Ah jo prit, këto nuk është nevoja t’i heqim e t’i fshehim, se këto vënde na i ka marrë hasmi dhe nuk ja prishim dot më ne iliro-pellazgët.

Pastaj urgjent duhet hequr basorelievi me luanin me flatra të stemës së Venedikut nga Kalaja e Rodonit, shenjë e qartë e neveritshme e një tjetër pushtuesi të trojeve tona kreshnike.

I vetmi pushtonjës të cilit nuk kemi ç’ti fshijmë, është gjermani. Kjo për arsyen e thjeshtë se gjermanët ishin të vetmit që e kuptuan si i donte mushka drutë me këtë milet. Nuk bënë asnjë përpjekje ta merrnin me të mirë, të ndërtonin gjësend a të konvertonin ndokënd. Thjesht shkuan në plumb kë bënte gëk dhe s’bëri as gëk as mëk njeri sa ishin ata, për t’a filluar sherrin kushtrimtar më pas mes nesh, se kur iku i fundmi i tyre, më 28 apo më 29.

Në fund të kësaj gare shpejtësie midis të urtëve që duhet të fshehin dhe të marrëve që duan të thyejnë, do të kemi truallin tonë arbëror të çliruar nga çdo germë e gdhëndur a gur i skalisur. Do kenë mbetur vetëm shpellat (edhe ato me stalaktite e stalakmite të thyera nga djemtë kombëtarë iliro-pellazë për t’i shitur) dhe shtëpitë pa leje që unë kam detyrën integronjëse t’i legalizoj.

AL

Ps. Përtej të gjithave ju lutem seriozisht që të hiqet pllaka e Sulejmanit, përpara se të jetë bërë e tëra çopë e çikë.

Artan Lame

SHKARKO APP