Artikulimi i deputetes, Kikia: Harruam korporatën e qeverisë që po merr pronat shtetërore
Gazetari Mentor Kikia, përmes një postimi në facebook ka komentuar rastin e djeshëm që bëri bujë në media, kur deputetja Majlinda Halilaj mbajti fjalim për herë të parë dhe nuk ishte në gjendje të lexonte të saktë. Sipas gazetarit, ”injoranca” e një gruaje dje vlejti më shumë se një korporatë. “Në vend që temë e diskutimit publik të ishte “korporata” e famshme e qeverisë, që do të marrë prona shtetërore për t’ia dhuruar privatëve, ne u morëm me “krparatën” e Majlindës”.
Komenti i plotë
Kur injoranca shndërrohet në korporatë. Ishte kaq unike, saqë mori vëmendje më shumë se sa vetë kryelajmi i mos-hapjes së negociatave. Eshtë një nga ato rate tipike, kur një njeri ndodhet diku as për meritë dhe as për faj të vet. Të tjerë duhet të skuqen e nxihen për këtë.
Problemi nuk është Majlinda, pasi ka Majlinda plot aty, pavarësisht se nuk kanë dalë në skenë, pasi nuk i lejojnë të ngjiten në foltore. Problemi është se injoranca e një gruaje dje vlejti më shumë se një korporatë.
Në vend që temë e diskutimit publik të ishte “korporata” e famshme e qeverisë, që do të marrë prona shtetërore për t’ia dhuruar privatëve, ne u morëm me “krparatën” e Majlindës. Sa më shumë injorancë të ketë, aq më thjeshtë vidhet dhe sundohet. Eshtë një ligjësi e vjetër kjo.