“Asfalti elektoral” grabit pronat e banorëve në Vlorë

Pasi qeveria transferoi lekët e rrugës së Selenicës që ishin përcaktuar nga Fondi Saudit për Zhvillim dhe i kaloi në rrugën Vlorë-Orikum, institucionet e Rilindjes po kryejnë një tjetër grabitje për banorët e zonës. Avokatja e Popullit, Erinda Ballaca ka informuar dje gjatë një takimi me Presidentin e Republikës, Ilir Meta se më shumë se 60 pronarë të tokës dhe ndërtesave në rrugën Vlorë-Orikum po shpronësohen në kundërshtim me ligjin duke mos u njohur asnjë të drejtë. Projekti i rrugës Vlorë-Orikum është elektoral dhe qeveria synon që të nisë punimet me afrimin e datës së zgjedhjeve. Nxitimi për të hedhur asfalt elektoral ka bërë që shkeljet ligjore në këtë projekt të jenë flagrante dhe me kosto për banorët. Fillimisht qeveria tentoi të transferojë paratë e projektit që ishin dhënë që në vitin 2017 për rrugën e Selenicës. Rreth 30 milionë euro të marra nga Fondi Saudit për Zhvillim, në shkelje totale të Kushtetutës dhe ligjeve u kaluan për projektin Vlorë- Orikum. Presidenti Ilir Meta kërkoi sqarime nga ana e ministrive përgjegjëse dhe qeverisë me argumentin se marrëveshjet me vendet dhe institucionet e tjera nuk mund të bëhen në shkelje të Kushtetuës dhe shpërdorim të ligjeve të vendit. Logjika e qeverisë në këto projekte është vetëm elektorale dhe nuk bazohet në zhvillimin e vendit. Bashkia e Selenicës klasifikohet nga PS si një bashki e djathtë dhe për shkak se nuk i japin votat PS-së, qeveria ka vendosur ti ndëshkojë duke mos u bërë rrugën kryesore të këtij qytetit. Edhe pse paratë i siguruan për këtë rrugë, me manovra jo ligjore dhe në shkelje të rënda penale, po tentohet që këto lekë të shkojnë në projektin Vlorë-Orikum. Ndërkohë që nëse qeveria kishte merak rrugën e Vlorës duhet që paratë t’i gjente në një tjetër marrëveshje me donatorët. Por nxitimi për të marrë vota me afrimin e zgjedhjeve ka bërë që PS të mos pyesë për ligje dhe as Kushtetutën.

Pas shkeljeve flagrante me kontratat me Fondin Saudit për Zhvillim, qeveria është dukë bërë dhe garabitjen e radhës me pronat e qytetarëve. Zgjerimi i rrugës Vlorë-Orikum prek një pjesë të madhe të bizneseve dhe pronave që janë në bregdetin e kësaj zone. Pronarët janë banorë autoktonë dhe biznese të reja turistike që janë zhvilluar përgjatë viteve në këtë zonë do rrënohen. Ky është një projekt që nëse nuk kryhet sipas ligjit, gjyqet në Shqipëri dhe paditë në gjykatat ndërkombëtare mund të bëjnë se dëmshpërblimi që qeveria do t’u japë banorëve të jetë më i madhe sesa vetë vlera e rrugës. Por, deri më tani, qeveria ka zgjedhur mënyrën e sjelljes me harbutëri. Banorëve po u merret prona dhe po i cenohen bizneset pa asnjë dokument shtetëror dhe pa asnjë paralajmërim. Kjo do të thotë se shteti po shkon, ashtu si të Unaza e Re, t’u rrëmbejë pronën me polici dhe me forca speciale. Nxitimi për të vijuar me projektin lidhet vetëm me zgjedhjen dhe punimet të nisin vetëm sa për shfaqje elektorale. Si deputet i Vlorës, Edi Ramës i duhet një projekt që të justifikojë dy mandatet e tij. Deri më sot ka bërë vetëm Lungo Maren (shëtitoren) që përmbytet edhe me pak shi në dimër. Në letra, Vlora ka marrë më shumë lekë se çdo qark tjetër në vend. Janë miliona euro të taksave të qytetarëve nga gjithë Shqipëria, që shkojnë vetëm për një qytet me qëllimin që vetëm Edi Rama të justifikojë mandatin e tij. Ndërkohë projektet realizohen keq dhe banorëve në Vlorë u grabiten pronat, ndërsa në Selenicë mbeten pa rrugë.

Presidenti Ilir Meta ka kërkuar dje nga Avokati i Pupullit, si investimin i pavarur që mund të kontrollojë zbatimin e ligjit nga institucionet e tjera, që të verifikojë çdo pretendim të banorëve për padrejtësi. Kreu i shtetit deklaroi se nëse Qeveria dhe pushteti vendor, shmangin respektimin e të drejtave të qytetarëve, është detyra e institucioneve të pavarura dhe e Gjykatës, të kryejnë vlerësimin e çdo pretendimi sipas fushave të tyre të përgjegjësisë.

Jemi para fushatës elektorale dhe qeveria është turr të hapi rrugë elektorale sa për të krijuar idenë se po punon, ndonëse kishte katër vite kohë ti bënte investimet.

Mili Xhani

 

 

 

 

 

SHKARKO APP