Asistenca amerikane ndihmon OSHEE të reduktojë humbjet në tre rajone problematike
Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike z.Adrian Çela, bashkë me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Zj. Yuri Kim, ishin në Shkodër ku panë nga afër rezultatet e arritura në kuadër të projektit pilot që Operatori i Shpërndarjes po zbaton me asistencën e USAID për përmirësimin e performancës në zonat më problematike.
Në kuadër të këtij projekti, OSHEE Group Sh.A me konsulencën e vazhdueshme të Tetra Tech ka ndërmarrë një planveprimi për realizimin e treguesve të humbjeve/arkëtimeve duke aplikuar investime/ndërhyrje me kosto të ulët dhe përmirësim të eficencës operacionale. Në fazën e parë, projekti është përqëndruar në rajonin e Shkodrës për tu zgjeruar më pas edhe në atë të Vlorës dhe të Durrësit. Administratori Çela dhe ambasadorja Kim ndoqën konkretisht një dite të zakonshme pune, ku grupet e OSHEE po zhvendosnin sistemet e matjes së energjisë sipas kushteve optimale teknike.
“Sot mund të duket shumë e largët por nuk duhet harruar se e morëm kompaninë e shpërndarjes në vitin 2013 me humbje vjetore të energjisë që arrinin mbi 45%. Falë punës intensive për rivendosjen e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike, kemi arritur që humbjet vjetore ti reduktojmë tashmë nën 21% ndërsa arkëtimet e energjisë së faturuar rritur në 97%. Objektivi ynë është për përmirësim të mëtejshëm, e ndaj gjej rastin të falenderoj ambasadoren Kim dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën që po na japin përmes USAID dhe Tetra Tech. Jemi përqëndruar në këtë projekt pilot në rajonet historikisht më problematike dhe me kënaqësi them se po arrijmë rezultate shumë të mira”, u shpreh administratori i OSHEE-së z. Adrian Çela.
Aplikimi i praktikave më të mira në rritjen e eficencës teknike dhe kapaciteteve njerëzore, kanë bërë të mundur që në ato fidera që i janë nënshtruar projektit pilot, për periudhën Janar—Korrik të konstatohet reduktim drastik i nivelit të humbjeve që varion nga 18 deri 37% më pak se sa e njëjta periudhë e vitit 2019.
Gjithashtu, energjia e blerë për furnizimin e këtyre zonave të posaçme ku është zbatuar projekti pilot është reduktuar me 22% ndërsa faturimi është rritur me 12%.
“Është kënaqësi të jem sot këtu dhe të shoh rezultatet pozitive të arritura nëpërmjet bashkëpunimit me OSHEE-ne. Puna jonë e përbashkët tregon se si ndryshime te mëdha mund te arrihen nëpërmjet zgjidhjeve me kosto të ulëta dhe me shume vendosmëri. Sot OSHEE është një kompani më e fortë, me më pak humbje dhe më shumë të ardhura, që do të thotë shërbime më të mira për konsumatorët dhe mundësi për të investuar në rrjet”, nënvizoi ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Zj.Yuri Kim.
Në kuadër të projektit të financuar prej USAID dhe me konsulencën e Tetra Tech, OSHEE ka kryer gjatë vitit 2019-2020 në rajonet e Shkodrës, Vlorës dhe Durrësit kontrolle në terren për 80 mijë konsumatorë, ndërprerje të furnizimit për 42 mijë prej tyre ndërsa janë denoncuar në organet ligjzbatuese 460 abonentë. 14,500 abonentëve u është spostuar sistemi i matjes, pasi gjatë kontrolleve u konstatua se nuk ishte në përputhje me kushtet teknike të Kodit të Matjes.
Me synim forcimin e kapaciteteve njerëzore, janë zhvilluar gjithashtu testime dhe trajnime për rreth 1,000 njësi personeli për çështjet operacionale, parandalimin dhe evidentimin e rasteve të vjedhjes së energjisë. Punonjësve të fiderave u është përgatitur përshkrimi i punës dhe caktuar tregues konkret performance individuale.
Me synim forcimin e zbatimit të ligjit në funksion të evidentimit të abuzimeve me konsumin, reduktimin e humbjeve joteknike dhe rekuperimin e dëmit ekonomik, prej Janarit 2019 është krijuar në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike edhe Departamenti i Kontrollit dhe Rekuperimit të Humbjeve.
Të dhëna mbi projektin OSHEE-USAID:
Bashkëpunimi mes OSHEE dhe USAID nisi në vitin 2014, paralelisht me reformën e ndërmarrë nga qeveria shqiptare në sektorin e energjisë. U zgjerua përmes projektit për Zhvillimin e Tregjeve Rajonale të Energjisë në Evropë dhe Euroazi (DREM) në fundvitin 2018, periudhë në të cilën filloi asistenca nga kompania Tetra Tech për mbështetjeje në lidhje me përmirësimin e mëtejshëm të performancës dhe veprimtarisë së OSHEE-së në rajonin e Shkodrës.
Bazuar në rezultatet e kënaqshme të bashkëpunimit të realizuar për rajonin e Shkodrës, në fundit të 2019-s u vendos të përfshihen në këtë bashkëpunim edhe rajonet e Durrësit dhe Vlorës. Në këtë mënyrë, projekti DREM realizon një akses me asistencë teknike në 31% (370 mijë) të klientëve të OSHEE-së, rreth 30% të energisë së shpërndare në rrjet dhe 38% të energjisë së humbur duke përfaqësuar kështu një zonë të rendësishme dhe më influencë në përmirësimin e treguesve të OSHEE-së.
Këto 3 rajone shtrihen, në një pjesë të konsiderueshme, në zonën bregdetare të Shqipërisë, zonë me interes publik sa i takon promovimit të investimeve dhe cilësisë së shërbimit me qëllim rritjen e aktivitetit turistik por dhe atij industrial.
Bazuar në rezultatet e mësipërme OSHEE Group Sh.A i kërkoi ekipit të rezidentëve të Tetra Tech në Maj 2020 që të përfshihen në aplikimin e praktikave më të mira të evidentuara në të gjithë rajonet dhe zonat e shërbimit të kompanisë.