Asnjë rast i konfirmuar me koronavirus në Shqipëri
Pas vdekjes se nje 45 vjeçari nga Skarapari ne Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, ka reaguar këtë të mërkurë Zv/Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakaçolli. “Pacienti ka humbur jetën si rezultat i një insufiçense respiratore nga një pneumoni bilaterale, që është konstatuar nga analizat se ka qenë i prekur nga virusi i gripit stinor. Nuk ka pasur asnjë lidhje me koronavirusin”, u shpreh Rakaçolli.
Zëvendësministrja nënvizoi faktin se në Shqipëri nuk ka asnjë të prekur nga koronavirusi. “Janë testuar 13 raste të dyshuara tek udhëtarë që kanë histori udhëtimi me vendet e prekura nga koronavirusi i ri dhe rezulton deri në këto momente, se, Shqipëria nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19”, tha ajo.
Rakaçolli theksoi se pas nje takimi të Komitetit të Ekspertëve, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur rialokimin e një fondi shtesë prej 1 milion dollarë vetëm për shtimin e stokut të mjeteve të mbrojtjes personale në strukturat shëndetësore.
Sakaq gjatë 24 orëve të fundit në pikat kufitare janë kontrolluar dhe këshilluar 4800 udhëtarë. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë rekomandon qytetarët që vijnë nga rajonet e prekura, të vetëkarantinohen për një periudhë prej 14 ditësh.
/Ora News