Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë solidarizohet me “Koha Jonë” dhe apelon organet kompetente të zbardhë sa më shpejt ngjarjen

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë u njoh sot me ngjarjen tejet shqetësuese të denoncuar nga Redaksia e gazetës “Koha Jonë”. Dy persona të panjohur e pa asnjë lidhje me gazetën kanë tentuar të hyjnë në mesnatë brenda në redaksi, me pretendimin se ishin gazetarë.

“Koha Jonë” dyshon se dy të rinjtë kanë pasur me vete shishe benzine.

Ne bëjmë thirrje që Policia e Shtetit të zbardhë sa më shpejt ngjarjen dhe të japë përgjigje publike për rezultatet e këtij hetimi, për të kuptuar nëse personat kishin qëllim zjarr-vënieje e nëse po, kush fshihej pas tyre.

As nuk duam ta besojmë se intimidimet dhe kërcënimet për fjalën e lirë mund të arrijnë në një pikë të tillë, që do të shënonte kthim pas në vite të errëta për gazetarinë në Shqipëri.

Ne inkurajojmë kolegët tanë tek “Koha Jonë” të vijojnë misionin e tyre, pavarësisht se historia lëshon mesazhe të përsëritura rreziku.

SHKARKO APP