Atë Lombardi: Matteo Ricci, urë dialogu ndërmjet Krishterimit dhe Kinës
“Mësimi diplomatik i Matteo Riccit”, shkruhet në titullin e takimit “Bamirësia Politike” që u zhvillua më 16 tetor, në Vatikan. Por njëkohësisht mësim, që hidhte gurin edhe për zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike, për vlerën e miqësisë. Ky aspekt i misionarit të madh jezuit të shekullit të shtatëmbëdhjetë u theksua nga sivëllai i tij, Atë Federico Lombardi, i cili foli në konferencën kushtuar Matteo Riccit, së bashku me Sima Avramoviç, ambasador i Serbisë pranë Selisë së Shenjtë dhe Chloé Silvia Tilman Dindo, ambasadore e Timor-Leste në Selinë e Shenjtë.
Model i shquar
At Matteo Ricci – kujtoi Atë Lombardi, ishte “misionari i parë jezuit që hyri në Perandorinë Kineze” dhe, pas “disa fazave të një itinerari të gjatë” shtegtoi deri në Pekin, ku mbërriti në vitin e largët 1601 e ku “hodhi themele të qëndrueshme për praninë e krishterë në Kinë”. Atë Ricci ndoqi gjurmët e Shën Françesk Saverit, i pari jezuit që shkeli në Lindje me dëshirën të hynte në Kinë. Deshi, por nuk mundi, për shkak të vdekjes që e ndiqte pas në ato shtigje të vështira!
Për të kryer shërbimin e tij – vijoi Atë Lombardi – Atë Ricci studioi me durim gjuhën dhe zakonet e vendit të madh aziatik, në Makao. “Kjo dëshirë për të njohur kulturën kineze dhe për t’u përshtatur me të, për të hyrë në botën e saj “butësisht e ëmbëlsisht”, larg çdo qëndrimi epërsie, të ngurtë dhe në njëfarë kuptimi të dhunshëm, do të jetë karakteristikë – vërejti Atë Lombardi – e misionarit e metodë e jezuitëve, model i shquar i të cilëve është Ricci”.
Respekt dhe paqe
Ky depërtim i plotë në qytetërimin kinez çoi – vuri në dukje Atë Lombardi – në pohimin e një procesi “inkulturimi” të Ungjillit, të lejuar nga “respekti i thellë” i Atë Riccit për bashkëbiseduesit e tij kinezë, nga dëgjimi i vëmendshëm i pyetjeve dhe konsideratave të tyre, me frymë të vërtetë miqësore.
E, pikërisht me këtë frymë “Matteo Ricci do të zhvillonte një dialog të frytshëm me miqtë e tij kinezë, deri në vdekje, në fushat e shkencës, moralit e – çka ishte qëllimi më i thellë i misionit të tij – sidomos fesë, Zotit dhe shëlbimit”.
Nga kjo – përfundoi Atë Lombardi – vjen deri në ditët tona kontributi i çmuar i jezuitit të shekullit të shtatëmbëdhjetë “për mundësinë e marrëdhënieve ndërmjet popujve në respekt të anasjelltë e në paqe”, “parë si model i marrëdhënieve të frytshme të respektit dhe miqësisë ndërmjet Lindjes me Perëndimin! E ne sot mund të shtojmë edhe mes krishterimit dhe Kinës”.