Atentati me C4, biznesmeni Bedinaj: Nuk kam konflikte

Dy ditë pas atentatit me eksploziv ndaj tij në Tiranë, biznesmeni Vasil Bedinaj ka sqaruar sot nga Vlora në një konferencë për shtyp se nuk ka asnjë konflikt personal që mund të jetë shkak për të kërkuar eleminimin e tij fizik.

Bedinaj përjashtoi edhe konfliktin për shkak  të biznesit duke deklaruar se nuk i detyrohet askujt, përveçse bankave dhe me të cilat tha se ka raporte korrekte.

Bedinaj përjashtoi edhe motivet politike për sulmin, ndërsa u bëri thirrje autoriteteve kompetente të hetojne mbi rastin. Ai tha se ka kërkuar mbrojtje për familjen.

Bedinaj ishte objekt i një atentati të stilit mafioz mbrëmjen e 24 marsit në Tiranë.

Ai ka sqaroi se sapo ka ndezur mjetin e tij në garazhin e pallatit ka dëgjuar një shpërthim.

Ai ka ndaluar menjëherë dhe ka kërkuar ndihmën e policisë, e cila ka bërë zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes. 

Prononcimi i plotë i Vasil Bedinaj për gazetarët

Bedinaj: Është e vërtetë që është kryer një atentat, por për fatin tim të mirë dështoi. Jam një qytetar njësoj si ju me bizneset e mia, jetoj në dy qytete, Vlorë dhe Tiranë. Nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë konflikt të asnjë lloj natyre, qoftë të biznesit, qoftë personal, qoftë familjar.Jam një biznesmen që punoj ditë dhe natë. Jam përpjekur gjatë gjithë jetës sime të jem një qytetar i thjeshtë dhe i ndershëm.Ishte një atentat jo i improvizuar për të kërcënuar, por një atentat në banesën time, në garazhin tim që një kat më lart jetonte familja ime, me një sasi të konsiderueshme C4 sipas ekspertëve që ishin në vendngjarje. Jam me fat që sot jetoj.

Si e zbuluat?

 Bedinaj: Në momentin që bëra ndezjen e makinës nuk kaluan as dhjetë sekonda që pasi e futa në marsh bëri shpërthimin, por gjysëm shpërthimi, pasi sipas ekspertëve ishte diçka që nuk funksionoi për fatin tim të mirë.

 Keni kërkuar mbrojtje?

 Bedinaj: Po kam kërkuar mbrojtje për familjen sepse këtë të drejtë e ka çdo qytetar i këtij vendi. Nuk po shoh se ka mbrojtje, por nuk mund të them jo sepse shteti ka strukturat e veta që edhe mund ti ketë marrë masat.

 Mund të flasim për një lloj ngyrimi politik duke iu referuar angazhimit tuaj si kandidat i pavarur për bashkinë e Vlorës?

 Bedinaj: Nuk e mendoj këtë gjë, jemi në 2016, kemi kaluar një fushatë civile qytetare. Në ditët në vazhdim instancat që merren me këto gjëra shpresoj të na e japin një përgjigje sa më shpejt.

 Keni konflikte me njeri, borxhe?

 Bedinaj: Ju siguroj që përveçse të mira, nuk i kam askujt borxh dhe as më ka askush borxh. Jam një biznesm që sot mund të kem mbi 150-200 punonjës që punojnë në këto ditë të vështira në këtë qytet. Dhe kam një marrëdhënie perfekte qoftë me kolegë në fushën time, qoftë në biznese të tjera.Shëtis gjatë gjithë kohës natë-ditë, nuk i kam dhe as nuk më ka njeri detyrime. Përveçse partnerit tonë, bankave, që dhe me të cilat jam në mënyrë absolute perfekt.Ky është i vetmi borxh që siç e kanë të gjithë biznesmenët, e kam dhe unë.

Keni pasur kërcënime?

 Bedinaj: Nuk kam pasur asnjë lloj kërcënimi, sado i vogël.

 Pas atentetatit jeni marrë në pyetje dhe keni pasur kontakte të tjera nga ana e struktura?

Bedinaj: Kam dhënë vetëm deklaratën ditën e parë dhe nga ai moment nuk kam pasur më kontakte nga strukturat e shtetit. Por siç ju thashë pak më parë ata kanë strukturat e veta dhe në ditët në vazhdim kërkoj me ngulm të kem një përgjigje se pse ka ndodhur kjo. Në rast të kundërt në ditët në vazhdim mund ta kem dhe unë një përgjigje. Strukturat e shtetit duhet të marrin të gjitha masat për  mbrojtjen e familjarëve në raste të tilla sepse e kemi këtë të drejtë, jemi  taksapagues dhe  qytetarë të këtij vendi. Të na ofrohet mbrojtja dhe në rast se jemi kriminelë të na çojnë atje ku e kemi vendin. Të gjithë po punojmë që të gjej shkakun që mos ketë devijim të konceptit, Vasil Bedinajn e njihnit ndryshe dhe na doli ndryshe.Çfarëdo lloj konkluzioni jo të vërtetë që mund të përpiqet dikush të hedhë ndaj meje, ju siguroj se do të jetë diçka për të mbuluar të vërtetën. E vërteta do të dalë.

ORA

SHKARKO APP