Atentati ndaj Kalemit në Greqi. E shkuara që nga vr*sjet në Belgjikë, te ekz*kutimi i Papës
51-vjeçari Andrea Kalemi i ka shpëtuar një atentati mafioz, por ndodhet në spitalin e Janinës ku po lufton për të mbijetuar. Kalemi kaloi në datën 5 gusht në Greqi nga Kakavija, së bashku me gruan, tre fëmijët dhe po pushonin në një ishull, ku kishin shkuar për pushime.
Dyshohet se Kalemi është qëlluar nga deti dhe personi mund të jetë afruar me një skaf ose me një motor uji. Sipas të dhënave të policisë greke, dyshohet se ky person ka udhëtuar nga Italia me qëllim eliminimin e tij. Është qëlluar 14 herë, dhjetë plumba e kanë goditur në trup dhe sipas të dhënave që disponojmë deri tani ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Janinës.
51-vjeçari nuk është një emër i panjohur. Në vitin 2001 ai rezulton i arrestuar, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge. Ai akuzohej së bashkë me vëllain e tij Fatmir Kalemi, kanë vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Belgjikë.
Në vitin 2022 Kalemit i është vrarë me shpërthim eksplozivi djali i hallës, Aleksandër Sadikaj. Disa muaj më vonë, në Tiranë u ekzekutua biznesmeni Edmond Papa si shenjë hakmarrje për vrasjen e Sadikajt. Për vrasjen e Papës u arrestua shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo dhe është në kërkim shoku tjetër Andrea Bode. Hetimet po vijojnë për të zbardhur këtë atentat.