Atentati ndaj prokurorit, Qafoku: Duhet një megaproces hetimor
Gazetari i kronikës, Roland Qafoku deklaroi në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se rasti i atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, mund të shërbejë për të nisur një proces rrënjësor të hetimit të lidhjes së krimit të organizuar me sistemin e drejtësisë. “Edhe sikur prokuroria dhe policia ta zbardhnin këtë ngjarje, asnjëherë nuk do jetë zbardhur plotësisht se brenda kësaj ngjarjeje ka dhjetëra ngjarje të tjera apo skandale, apo abuzime që lidhen me pronat, shitje, blerje, falsifikime në zonën e Durrësit. Pra, edhe në qoftë se do kemi një konkluzion final të policisë kriminale dhe të prokurorisë së Krimeve të Rënda që i zbuluam autorët dhe me shumë mundësi nesër pritet një lloj deklarate, nga të dhënat dhe informacionet që unë kam dy personat e shoqëruar deri më tani janë duke u verifikuar dhe duke u krahasuar të gjitha shenjat që kanë lënë”,- tha Qafoku.
Ai përmendi rastin e dy simboleve të drejtësisë italiane, që u vranë nga mafia në Siçili, Borselino dhe Falcone. Sipas Qafokut edhe në Shqipëri duhet të nis një proces rrënjësor. “Pra edhe nëse do kemi konkluzion final që ky është autori apo këta janë 2 autorët asnjëherë ngjarja nuk do jetë e zbardhur plotësisht. Brenda kësaj ngjarjeje ka disa ngjarje të tjera që lidhen me pronat me shitjen e blerjen. Me lidhjet e përfaqësuesve të shtetit me pjesën kriminale që funksionojnë në qytetin e Durrësit. Kjo ka nevojë për një megaproces si ai Falcone dhe Boreslino në Itali. Shteti asnjëherë nuk është marrë seriozisht për të hetuar krimet në qytetin e Durrësit”, deklaroi Qafoku.