Atentati ndaj prokurorit, Shenasi Rama: Shërbimet e huaja e dinë për lidhjen e krimit me parinë
Atentatin e Shkozetit ku mbeti i plagosur prokurori Arjan Ndoj, profesori Shenasi Rama e konsideroi si një çështje që nuk do të zbardhet asnjëherë nga drejtësia shqiptare.
Në një lidhje telefonike në studion e lajmeve në RTV Ora, Rama tha se populli dhe shërbimet e huaja janë të vetëdijshëm për strukturat kriminale dhe përfshirjen e politikës në to.
Beti Njuma: Mendoni se ngjarje të tilla mund të zbardhen? Kemi një seri ngjarjesh që nuk zbardhen. Kemi rastin e Skerdilajd Konomit që pas 8 vitesh ka mbetur e pazbardhur, kemi një ish-drejtor të SHIK-ut në Durrës, edhe ai u gjet i djegur në makinë që mbase ka lidhje me tjetërsimin e tokave në bregdet. Pra shumë ngjarje kriminale që vijojnë të mbetet të pazbardhura sot e kësaj zbardhje. Do të mbetet edhe kjo çështje e pazbardhur apo besoni se drejtësia do funksionojë?
Shenasi Rama: Në Shqipëri nuk ka drejtësi, thjesht ka pazare kriminelësh. Kush është krimineli më i zoti, ai përcakton çfarë është e drejtë apo jo. Në këtë pikë janë të përfshira dy struktura kriminale lokale që i kanë rrënjët deri në Tiranë. Po kërkojnë të vënë dorë mbi 150 e sa hektarë tokë, të cilat janë të çmuara miliona dollarë dhe vrasjet e tilla nuk do ndalen. Por nuk do ketë në asnjë kohë, në asnjë mënyrë zbardhje nga ana e mediave apo parisë së Tiranë. Ashtu siç tha qesharaku, kryeministri që ka Shqipëria, mos i besoni mediave. Por ama populli, njerëzit e thjesht e dinë se çfarë po ndodh.
Unë isha aty 2 javë më parë dhe në gjitha takimet që kisha me njerëzit, të gjithë janë të vetëdijshëm për gjendjen, strukturat kriminale, përfshirjen e parisë në to. Por populli e di, shërbimet e huaja e dinë, por vetë kjo nuk ka dalë në media se mediat janë instrument i parisë.
I pyetur përse mendon se Reforma në Drejtësi nuk do të funksionojë, Rama u shpreh se klasa politike nuk ka vullnetin për të përmirësuar të ardhmen.
Beti Njuma: Përse gjithë kjo panoramë dëshpëruese? Nuk mendoni se me reformën në drejtësi mund të ndryshojë diçka?
Shenasi Rama: Shqipëria mund të ndryshojë shumë çka dhe të bëhet një shtet normal, por në shtetin shqiptar, pikërisht ata që duhet të bëjnë ndryshimin nuk kanë asnjë dëshirë që të mund të bëjnë për mirë, si shtetin dhe të ardhmen.
Arsyeja është e thjeshtë. Paria e Tiranës, pas vitit 1990 ka pasur një rritje për para, mall, pasuri, për tu kthyer në borgjezi dhe konseguencat e saj është se janë përpjekur ta kthejnë popullin shqiptar në popull skllevërish, mirëpo nuk u bënë aq lehtë skllevër. Por u bënë pjesë e strukturave të nëndheshme kriminale dhe mafioze. Do vijë shumë shpejt koha kur përplasja mes parisë dhe popullit do të jetë e pashmangshme.