Atentati ndaj shefit të Policisë bashkiake, babai i 19-vjeçarit: Do jem polic në kapjen e djalit tim

Atentati ndaj shefit të Policisë bashkiake të Malësisë së Madhe, ka si autor 19-vjeçarin Ilirjan Hasanaj, i cili është shpallur në kërkim. Krah uniformave blu është rreshtuar edhe babai i 19-vjeçarit. Ish-polici Arben Hasanaj ka deklaruar se do të jetë polic në kapjen e djalit të tij, duke bashkëpunuar me drejtësinë. Teksa i ka bërë thirrje djalit të dorëzohet por edhe gjithkujt që ka informacione për të që të ndihmojë drejtësinë, ai ka nënvizuar se me familjen e Mentor Hasanajt nuk kanë pasur kurrë konflikte, madje shtoi se gëzon një respekt të madh për to.

“Të dorëzohet në emrin tim. Do e përkrah do e mbështes e ta mbaj afër. I lutem me mish e me shpirt gjithkujt që e njeh dhe e dikton djalin tim të më njoftojë. Më bën nder. Unë nuk kam dijeni fare për djalin. Dy ditë para se të ndodhë ngjarja kam folur me të, e kam pas pranë, më ka dëgju dhe se imagjinoj pse ka ndodhur kjo punë. Familja e Hasanaj jeton në një fshat më larg se ne. Ajo është familje e respektuar, nuk kemi pasur kurrë konflikte dhe asnjë lidhje me ta në kuptimin e keq të fjalës. Unë kam shumë respekt dhe është familje e mirë. Ka për të dalë e drejta tamam. Unë dua të gjej djalin. Unë mbështes policinë e shtetit. Unë kam qenë polic kufiri dhe kam dalë në pension me dëshirë. Mua drejtori i policisë dhe të gjithë me rradhë do më kenë sikur jam në polici. Djali është fëmija ime dhe shpirti im, duhet të vijë të japë llogari. Nuk kemi lidhje me ta se janë në fshat tjetër na bashkon emri shqiptar dhe mbiemri i njëjtë. Kam ardhur nga Anglia. Djali sa kishte mbaru shkollën. I thashë që do konkurojë në Akademinë e Rendit. Aty kërkonte patentë, e mori, shkoi u regjistrua dha testin e parë e mori po prisnim përgjigjen e praktikës. Si të ka vajtur e pyeta dhe më tha veç jam rrëzu në disa ndalesa, e mirë i thashë se nuk je sportist”, tha babai.

Sa i përket dyshimeve nëse i biri është përdorur për një atentat me pagesë ai ka thënë se nuk ka dijeni, por nëse djali i tij e ka bërë një gjë të tillë do të mbajë përgjegjësi. “Dyshimet e policisë mundet të jenë të sakta dhe mundet të mos jenë. Unë nuk di gjë dhe skam fol me të. Në momentin e parë që kam me e pa, do e dorëzoj, nëse djali ka bë gabim ai do mbajë përgjegjësi. Nuk kam marrë kontakt me të polici. Kemi miqësi të ndërthur s’kemi pas kurrë probleme me ta. Nëse do të ndihmoni në këtë rast unë do jem polic në kapjen e djalit tim”, shtoi babai i 19-vjeçarit.

SHKARKO APP