Atentatori i Lulëzim Berishës kërkon të rihapë çështjen

Osman Karpuzi, kosovari i dënuar me 20 vjet burg si bashkë-autor i një atentati ndaj ish-drejtuesit të “bandës së Durrësit”, Lulëzim Berisha, në gusht 2005, kërkon të rihapë çështjen. Kërkesa e tij për rishikim të vendimit është refuzuar nga Shkalla e Parë por vendimi u ankimua nga Karpuzi në ish-Apelin e Krimeve të Rënda.

Së fundmi, kjo gjykatë, e shndërruar në Apelin e Gjykatës së Posaçme, ka shpallur moskompetencë, duke ia përcjellë kërkesën për shqyrtim Gjykatës së Durrësit. Osman Karpuzi u dënua në mungesë nga dy shkallët e Krimeve të Rënda për “vrasje me paramendim”, mbetur në tentativë ndaj Lulëzim Berishës dhe versioni i tij nuk u dëgjua në gjykim. Ai u arrestua në Zvicër, prej nga u ekstradua në Shqipëri në dhjetor 2015.

Sipas vendimit të fajësisë, Osman Karpuzi dhe Ahmet Ajeti u porositën për vrasjen e Berishës nga Endrit Dokle dhe Adriatik Coli, në këmbim të 80 mijë eurovë. Në 30 gusht 2005, ata shkuan drejt lokalit të Berishës, por Ahmet Ajeti u vetëplagos pa dashje dhe si rrjedhim, vrasja e Lulzim Berishës mbeti në tentativë. Në vitin 2018, Gjykata për Krimet e Rënda pranoi të rihapë çështjen edhe për të akuzuarin tjetër për ngjarjen, Ahmet Ajeti.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?