Audio përgjimi, Noka: Prokuroria të fillojë hetimet!
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka tha se Prokuroria duhet të kishte filluar një hetim urgjent pas publikimit të audio-përgjimit.
I ftuar mbrëmjen e sotme në studion e lajmeve të Ora News, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë tha se e vetmja zgjidhje është që ndaj Fatmir Xhafës të fillojë hetimi dhe se ai duhet të largohet sa më parë.
“Ka vetëm një gjë, Agron Xhafaj del me zë dhe figurë që bisedon me trafikantët dhe po thotë që po më sulmojnë plehrat edhe mua edhe vëllain. Kjo është e rëndësishme dhe sot në rast se do kishim një prokurori siç duhet, sot prokuroria duhet të kishte filluar urgjent veprimet dhe hetimin. Ky është fakti drithërues. A mund të ketë një vend demokratik dhe normal që të ketë një ministër të Brendshëm që duhet të luftojë bandat dhe krimin ka vëllain e tij trafikant droge të dënuar nga drejtësia e vendeve aleatë. Vetëm në Shqipëri ndodh! Hiq një trafikant droge që kanabizoi Shqipërinë vjen një ministër tjetër me vëlla trafikant droge.
E drejta dhe detyra e opozitës është të denoncojë me fakte dhe me prova. Është detyra e prokurorisë të fillojhë hetimet edhe kryesisht, por Arta Xhafa e ka problem të hetojë Fatmir Xhafën dhe të hapë çështje për Agron Xhafën. Për fat të keq nuk kemi marrë asnjë sinjal dhe kemi një prokurore që zyrave të ministrisë shëtit sikur të ishte një vartëse e ministrave të kësaj qeverie. Sepse të ishte një prokurori jo politike, por të funksiononte mbi bazat institucionale dhe ligjore sot nuk mund të rrinte të priste duarkryq.
Sot Agron Xhafaj duhet të ishte arrestuar dhe ti ishte përcjellë autoriteteve italiane dhe ndaj Fatmir Xhafës duhet të fillonte një hetim. Ka një dhe vetëm një zgjidhje, largim i ministrit Xhafaj nga detyra. Edi Rama dhe kjo qeveri na ka bërë faqen e zezë në sytë e Europës. Po dalim në një vend ku ministrat janë të lidhur vetëm me trafikantë droge. Në rast se nuk do të reagohet dhe nuk do largohet ky ministër opozita do të vazhdojë aksionin e saj derisa ta largojmë”- u shpreh deputeti demokrat.
I pyetur në lidhje me aksionin e opozitës, Flamur Noka deklaroi se ka vetëm një çështje, dhe ajo është, largimi i Xhafajt.
“Ne nuk kemi ndonjë qëndrim tonin për bojkot të parlamentit. Qëndrimi jonë ka qenë marrëdhënie e kushtëzuar, por ne do të intesifikojmë aksionin tonë politik deri në largimin e ministrit të Brendshëm”- u shpreh Noka.
Pyetje: Do të ketë pjesëmarrje të rregullt?
Flamur Noka: Do të ketë vetëm një çështje: Ministri i Brendshëm i kapur në krim dhe trafikim drogë dhe largimi i tij. Nuk do të ketë asnjë çështje tjetër.
Pyetje: Po protesta do të ketë?
Flamur Noka: Ju po përpiqeni të tregoni cfarë do të bëjë opozita. PD ka strategjinë e saj. Sot shqetësim është kjo gjë. Skandali ku është i përfshirë ministri Xhafaj dhe vëllai i tij. Fatmir Xhafaj duhet të largohet, sepse po mban peng zbatimin e ligjit antimafia. Agron Xhafaj është i dënuar nga drejtësia italiane dhe sipas ligjit antimafia duhet të sekuestrohen pasuritë edhe të Agron Xhafës, por edhe të vëllait Fatmir Xhafaj. Pra po bën një shkelje të rëndë të ligjit, duke ndenjur në detyrë. Kjo është çështja, çdo çështje tjetër është e pavlerë.
KOHA JONË SONDAZH

