Autoritetet amerikane po tentojnë të zbulojnë motivin për atentatin ndaj Trumpit

Byroja Federale amerikane e Hetimit (FBI) ka identifikuar Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, nga Bethel Park i Pensilvanisë si subjektin e përfshirë në atentatin kundër ish-presidentit amerikan, Doanld Trump. Autoritetet amerikane po tentojnë që të zbulojnë motivin e këtij atentati.
FBI-ja tha më 14 korrik se hetimi për këtë çështje është duke vazhduar.
Sipas të dhënave, sulmuesi i dyshuar ishte i regjistruar si votues republikan në Pensilvani. Por, sipas raporteve federale financiare të fushatave zgjedhore, ai po ashtu kishte dhënë 15 dollarë donacion për një komitet politik progresiv më 20 janar 2021, në ditën kur presidenti Joe Biden bëri betimin.
Kandidati i pritur republikan për president të SHBA-së, Trump, është jashtë rrezikut për jetë pas të shtënave me armë zjarri që ndodhën teksa ai fliste në një tubim në Pensivlani më 13 korrik.
Shërbimi Sekret amerikan tha se një person, që ishte në audiencë, është vrarë dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.
Agjentët e kanë vrarë sulmuesin në vendngjarje, bëri të ditur Shërbimi Sekret amerikan.
Trump tha se u qëllua me një plumb që i shpoi pjesën e sipërme të veshit të djathtë.
“E kuptova menjëherë se diçka nuk po shkonte kur dëgjova krisma, të shtëna, dhe menjëherë ndjeva se plumbi po çante nëpër lëkurë”, shkroi Trump në llogarinë e tij në Truth Social.
Me të dëgjuar të shtënat, agjentët e Shërbimit Sekret e tërhoqën ish-presidentin amerikan nga skena dhe e larguan me një automjet që e priste.

Trump u kërkon amerikanëve të bashkohen
Trump, përmes një postimi në Truth Social, tha të dielën se mezi pret të flasë në Uiskonsin,ku javën e ardhshme do të mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Republikane.
“Në këtë moment, është më e rëndësishme se kurrë që të jemi të bashkuar dhe të tregojmë karakterin e vërtetë si amerikanë, duke qëndruar të fortë dhe të vendosur”, shkroi ai.
Ky është postimi i dytë që ai ka bërë që kur u qëllua në vesh një ditë më parë në Pensilvani.
Shërbimi Sekret amerikan tha se po heton se si sulmuesi, i armatosur me një pushkë të stilit automatik mundi që të afrohej mjaftueshëm sa për të shtënë dhe për të plagosur Trumpin.
Sulmuesi, që u vra nga agjentët, qëlloi disa plumba drejt skenës “nga një pozicion i lartë jashtë vendit ku u mbajt tubimi”, tha Shërbimi Sekret.
Trump, që u pa i gjakosur teksa u largua nga skena, mori mjekim në Pensilvani, para se të nisej në klubin e tij të golfit në Nju Xhersi.
Liderët nga e mbarë bota kanë dënuar fuqishëm tentim-vrasjen ndaj Trumpit.
Presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi të shtunën, pas të shtënave se është mirënjohës që merr vesh se Trump është mirë.
“Lutem për të dhe familjen e tij dhe për të gjithë ata që ishin në tubim, ndërsa presim informacione të mëtejshme”, tha presidenti Biden.
“Ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë. Ne nuk mund të jemi kështu. Ne nuk mund ta pranojmë këtë”, shtoi ai.
Shtëpia e Bardhë tha se Biden, që po garon kundër Trumpit në zgjedhjet presidencial, ka folur me të disa orë pas të shtënave.
Të shtënat në Pensilvani ndodhën vetëm dy ditë pare se të nisë Kuvendi Kombëtar i Partisë Republikane, ku Trump, 78 vjeç, pritet të sigurojë nominimin e partisë për të garuar në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.

REL

SHKARKO APP