Autoritetet kosovare konfiskojnë medikamente me origjinë serbe me vlerë mbi 116 mijë euro
Barnat ilegale serbe po vazhdojnë të jenë pjesë e tregut farmaceutik kosovar.
Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Inspektorati Farmaceutik i Kosovës ka ndëshkuar nëntë farmaci për shkelje të ligjit, pasi janë gjetur produkte medicinale me origjinë serbe në to. Në vitin 2023, ky inspektoriat kishte evidentuar 69 raste të tilla.
Se barnat ilegale me origjinë serbe janë të pranishme në tregun farmaceutik kosovar e pohojnë edhe nga Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK).
Inspektorati Farmaceutik i Kosovës ka njoftuar për KosovaPress, se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, janë shqiptuar gjithsej 76 gjoba. Në këtë periudhë, në 14 farmaci janë hasur produkte ilegale, nga të cilat 9 ishin me origjinë serbe. Gjithashtu, janë evidentuar 6 farmaci që ushtronin veprimtari të paligjshme me produkte farmaceutike, ku 4 prej tyre ndodhen në veri të Republikës së Kosovës.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, ata kanë identifikuar 7 raste të ngjashme.
Dogana e Kosovës ka njoftuar se vlera e barnave me origjinë serbe të konfiskuara nga janari deri në qershor të këtij viti, është mbi 116 mijë euro, ndërsa gjatë gjithë vitit 2023, kjo vlerë ishte afërsisht 91 mijë euro.
“Gjatë vitit 2023 kemi pasur 20 raste të zbuluara të barnave të kontrabanduara të cilat janë zbuluar si: përgjatë brezit kufitare, pastaj ka pasur raste duke tentuar te futen edhe përmes Pike Kalimit Kufitare duke mos i deklaruar ato…Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, ka pasur 7 raste të zbuluara të barnave në formë dhe mënyrë të përshkruara si me lartë për vitin 2023. Barna e kontrabanduara janë të të gjitha llojeve pa përjashtim”, thuhEt në përgjigjen e Doganave të Kosovës.
Ndërkaq, zëvendëskryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Astrit Haxhijaha thotë se është një numër i konsiderueshëm i barnave ilegale në tregun farmaceutik të Kosovës.
Sipas tij, mos implementimi i ligjit për çmimin e barnave dhe udhëzimi administrativ pa paralele, janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në praninë e këtyre barnave nëpër farmaci.
“Ka, një numër i konsiderueshëm i barnave ilegale që është në tregun farmaceutik. Mirëpo, e gjithë kjo vjen si pasojë e disa faktorëve. Faktori i parë është që ende nuk është futur në fuqi ligji për çmimin e barnave, sepse në momentin që futet ky ligj, atëherë në mënyrë automatike do të stabilizohet tregu sikur në Kosovë por edhe në shtetet e tjera…Pastaj është edhe udhëzimi administrativ pa paralele. Ky udhëzim pa paralele që është bërë në mënyrë shumë të shpejtë nga Ministria e Shëndetësisë e ka dëmtuar goxha shumë pjesën e tregut, për shkak se i kufizon shumë distributor apo qarkullues me shumicë që të veprojnë për shkak se e kanë numrin e kufizuar se brenda një viti sa bari duhet të sillet. Kështu që, sa më shpejtë të jetë e mundur ky udhëzim administrativ të eliminohet dhe të vazhdojë sikur që ishte më parë”, potencon Haxhijaha.