Autoriteti Portual Durrës: 5 anije tregtare me 14 mijë ton mallra po përpunohen! Lëvizja e mallrave normale, ndalohen vetëm pasagjerët
Autoriteti Portual Durrës njofton se pesë anije tregtare me rreth 14 mijë ton mallra të ndryshme po përpunohen në portin e Durrësit. Sipas APD-së, tragetet e linjës Bari – Durrës janë akostuar në Terminalin e Trageteve rreth orës 8.00 të mëngjesit të sotëm ndërsa në Terminalin Perëndimor po përpunohen anijet “NS Helse” dhe “Eseniya”.
Në molin 10 po ngarkohen 1,956 ton makineri në anijen “HC Melina” ndërsa në radën portuale ka mbërritur anija “Pacific Dalian” me konteinerë.
“Në zbatim të Urdhërit të Ministrisë së Infrastrukturës nr.109, datë 09.03.2020, është pezulluar lëvizja e PASAGJERËVE me mjetet e transportit detar nga të gjitha Portet drejt Italisë së Veriut, deri në një njoftim të dytë. Ndalohet lëvizja e pasagjerëve me mjetet e transportit detar me linjën Durrës -Ankona-Durrës dhe Durrës -Tireste-Durrës. Linja Durrës -Ankona -Durrës do të vazhdojë për lëvizjen e mallrave. Ekuipazhet do t’i nënshtrohen kontrollit të rreptë mjekësor dhe regjimit të lëvizjeve të kufizuara” njofton APD.