Avioni i drogës, gjykata i lë të gjithë në burg, polici mbrohet veçmas

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që 6 personat e arrestuar në Shqipëri si pjesëtarë të grupit me 14 anëtarë (8 prej tyre u arrestuan në Itali ), të cilët u kapën duke transportuar drogë me avion  nga bregdeti shqiptar drejt Italisë duhet të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Të arrestuarit kanë dalë para trupit gjykues që përbëhej nga gjykatëses, Iliriana Olldashi, ishin të pandehurit: Sokol Lamaj, Niko Burhamaj, Fatos Bruhamaj, Fadil Shahaj, Igli Shahja dhe ofektivi i policisë së Vlorës i përfshirë në këtë trafik, Vladimir Zanaj.

I vetmi person që është mbrojtur me një avokat të siguruar nga familja ka qenë pikërisht shefi i burimeve njerëzore në Drejtorinë e Policisë Vlorë, Zanaj, i cili mësohet të ketë deklaruar se është i hapur për çdo hetim dhe se nuk ka lidhje me trafikun e narkotikëve siç pretendon prokuroria. Por hetuesit kanë mundur të përgjojnë një telefonatë ku Zanaj flet me një nga drejtuesit e grupit kriminal. – “Shiko se po na shkatërrojnë parcelën!” .

Kjo bisedë e tij, sipas prokurorisë, është bërë në kohën kur familjes Lamaj dhe Ahmetaj i janë asgjësuar parcelat e mbjella me drogë në Sevaster.

Hetuesit thonë se kanë edhe prova të tjera që implikojnë drejtuesin e policisë, ndonëse avokati mbrojtës i Zanajt tha se, faktet e paraqitura nga prokuroria nuk vërtetojnë se klienti i tij ka lidhje me trafikun.

Gjykata ka lënë në burg dhe 5 pjesëtarët e tjerë të bandës të cilët janë mbrojtur nga një avokat i caktuar nga shteti. Ata mohuan akuzuat dhe pretenduan se bënin  një jetë të thjeshtë në fshatin e tyre.

SHKARKO APP