Avokatët thirrje Manastirliut: Duhet të përfitojmë nga paketa financiare

Të prekur nga pandemia e Covid-19, avokatët kërkojnë që të përfitojnë nga paketa financiare. Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia përmes një letre drejtuar ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, thotë se janë të dëmtuar për shkak se janë mbyllur gjykatat.

Të gjitha proceset gjyqësore do të jenë të pezulluara deri më 7 prill, për shkak të situatës së krijuar nga Covid- 19, për rrjedhojë, Haxhia në emër të avokatëve kërkon që të jenë edhe ato pjesë e vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM) ku përcaktohen kategoritë përfituese të ndihmës financiare.

“Në urdhrin tuaj për lejimin apo ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit nuk cilësohet kategoria e avokatëve. Ne mendojmë se në këtë betejë të madhe, ku është përfshirë i gjithë populli ynë, edhe avokatët janë pjesë e pasojave financiare që kanë lindur si për çdo biznes. Referuar vendimit të KLGJ, me anë të cilit pezullohen të gjitha proceset gjyqësore me përjashtimet e përcaktuara në të (masat e sigurimit), faktikisht gjykatat dhe prokuroritë rezultojnë pa veprimtari. Sikurse dihet që veprimtaria e avokatëve është tërësisht e lidhur me gjykatat dhe prokuroritë, de facto është pezulluar edhe veprimtaria e avokatëve”.

SHKARKO APP