Avokati Adriatik Lapaj: Shqipëria ka nevojë për ‘veting’ në politikë
Avokati dhe pedagogu i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin i Tiranës, Adriatik Lapaj, thotë se reforma në drejtësi në Shqipëri, megjithëse e domosdoshme, solli shqetësime në mënyrën se si u zbatua. Ai sjell shembullin e Gjykatës së Tiranës, ku volumi i dosjeve ka arritur nga 1500 deri në 2000 dosje mesatarisht, nga 200 deri 250 që duhet të jetë mesatarja vjetore. Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës zotin Lapaj flet dhe mbi fenomenin e largimit të brezit të ri nga Shqipëria, një fenomen që ushqehet sipas tij nga mungesa e garës në tregun e punës, mungesa e meritokracisë dhe drejtësisë. Zgjidhje për shumë shqetësime që kalon sot vendi, sipas zotit Lapaj do të ishte reforma në politikë nëpërmjet një procesi vetingu si dhe ndryshimi i sistemit elektoral. Zoti Lapaj ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të një programi të Departamentit amerikan të Shtetit, që u ofron profesionistëve nga vende të ndyshme të botës mundësi për t’u njohur me mënyrën se si funksionojnë institucionet amerikane bazuar në fushat e tyre të interesit.
Zëri i Amerikës: Zoti Lapaj, reforma në drejtësi u konsiderua si një hap i dosmosdoshëm për Shqipërinë, nisur nga korrupsioni i thellë në këtë sektor. Reforma u shoqërua me zbrazjen e sistemit nga trupa e prokurorëve e gjykatësve. Të dhënat më të fundit tregojnë se sot mungon 44 % e trupës së gjyqtarëve dhe 38% e prokurorëve, si pasojë e ‘vetingut’ ndërsa stoku i dosjeve vijon të mbetet i lartë. A mund të thuhet sot, se një qytetar e ka më të lehtë qasjen tek sistemi i drejtësisë sesa e kishte 7 vite më parë, kur nisi reforma?
Adriatik Lapaj: Unë kam qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të reformës dhe vazhdojë të jem, por mënyra se si është ajo është bërë, ka problemet e veta. Sigurisht sot në sistem, ata që hynë kanë një përgatitje profesionale dukshëm më të mirë sepse hynë nga Shkolla e Magjistraturës, por mënyra se si u aplikua ka krijuar vakuum dhe mbingarkesë të dosjeve për gjyqtarët. Në Gjykatën e Tiranës kemi arritur nga 1500 deri në 2000 dosje mesatarisht nga 200-250 që do të duhet të jetë mesatarja në vit. Në këtë kuptim, drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar dhe ne këtu kemi një problem që kërkon zgjidhje. Ju përmendet përqindjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të ngelur në reformën në drejtësi dhe ajo që dua unë të them është shumë e rëndësishme dhe që më del nga ajo që unë kuptoj nga takimet këtu, është nevoja e një reforme politike, e cila duhet të kalojë përmes një vetingu sigurisht dhe që duhet të kalojë përmes një hapjeje të sistemit zgjedhor. Të jeni të bindur që nëse në drejtësi kanë ngelur 45% e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në politikë do të ngelën mbi 90% e atyre që janë marrë me politikë aktive në Shqipëri.
Zëri i Amerikës: Vitet e fundit Shqipëria po ndeshet me problemin e largimeve të shumta, sidomos të brezit të ri, si dhe të profesionistëve të rinj, drejt vendeve të tjera. Shumë largohen për të studiuar dhe nuk kthehen. Çfarë pasoja pritet të ketë kjo e ashtuquajtur “rrjedhje truri” për vendin tuaj?
Adriatik Lapaj: Ikja e të rinjve është plaga më e madhe sociale e vendit tonë sepse praktikisht ikin ata që konsiderohen vazhdimësia e një kombi dhe kjo lidhet thellësisht me mungesën e përspektivës dhe shpresës që këta të rinj kanë për të ardhmen në Republikën e Shqipërisë. Mungesa e garës, mungesa e meritokracisë, mungesa e drejtësisë, ka bërë që të rinjtë të mos e shohin të ardhmen e tyre në vendin tonë dhe unë e shohë si një nevojë të menjëhershme që ne në Shqipëri të bëjmë një luftë me sistemin, për herë të dytë pas viteve ’90. Nuk është më çështje e partisë filan apo ypsilon, e kryeministrit filan apo ypsilon, është çështja e një sistemi që nuk prodhon garë dhe në mungesë të kësaj gare krijohet kalçifikim në të gjitha shtresat e shoqërisë, njerëz aty që qëndrojnë si mamuth politik apo si mamuth të fushave të ndryshme dhe nuk ikin andej prej 20, 30 apo edhe më shumë vitesh. Asgjë më pak se ç’kishte diktatori Enver Hoxha, i cili pak a shumë qëndroi po kaq në majë të pushtetit sa po qëndron kjo klasë politike apo drejtues të sektorëve të ndryshëm në vend, duke e vrarë përfundimisht besimin e qytetarëve për një të ardhme më të mirë.
Zëri i Amerikës: Po si e ndihmojnë këto largime këtë që ju po thoni apo që kërkoni të ndodhë?
Adriatik Lapaj: Largimet e dëmtojnë. Ne jemi duke prekur fundin, mos të them e kemi arritur fundin. Largimet masive janë problem pasi krijojnë probleme me skemën e sigurimeve, krijojnë probleme me mungesën e kapaciteteve dhe burimeve njerëzore për të ardhmen. Por, duke e parë të vërtetën në sy, ne duhet patjetër tashmë të angazhohemi fuqishëm të gjithë për të ndryshuar këtë realitet. Unë besoj se të gjithë e kanë kuptuar tashmë që nuk shkohet më kështu në këtë drejtim. Nëse prindërit e atij vendi duan ende që t’u ikin fëmijët, nëse fermerët e atij vendi duan ende të lënë tokat e tyre, nëse mjekët e atij vendi ende duan që të mos e zhvillojnë jetën e tyre në atë vend, kjo është tjetër punë. Por unë them se askush nuk ikën me dëshirë nga vendi i vet dhe e vetmja rrugë tashmë është që të mos merremi më me emrat, të mos merremi më me partinë filan apo ypsilon, por të gjithë bashkë, të bëhemi bashkë për të kërkuar hapjen e sistemit, që më të mirët të na drejtojnë në çdo fushë të jetës.
Zëri i Amerikës: Për sa i përket sërish kësaj çështjeje, kryeministri për shembull shpesh ka thënë se këto largime janë normale dhe ndodhin kudo. A mendoni se problemi i rrjedhjes së trurit po shihet me shqetësimin dhe me seriozitetin e duhur nga politika në përgjithësi?
Adriatik Lapaj: Jo. Këto nuk janë fare normale. Ikje normale janë kur dikush ikën për shkollim, edhe pasi shkollohet kthehet. Ndonjë edhe mund të rrijë, nuk është problem, siç ikin dhe vijnë. Këto janë braktisje masive të vendit dhe ky është shpopullim. Ikjet normale nga shpopullimi kanë një diferencë shumë të madhe. Ikjet normale janë ikje që janë të shëndetshme, pasi njerëzit shkojnë për të marrë eksperienca, për të marrë arsimim më të mirë, për t’u aftësuar, për të krijuar lidhje e për t’i kthyer në vlera të shtuara për atdheun. Këto që po ndodhin në Shqipëri janë braktisje dhe janë shpopullim, të cilat ndodhin vetëm në kushtet e genocidit dhe luftës, në kombet që janë ndodhur në situata të tilla. Kështu që masat nuk janë marrë, masa duhet të merren. Dhe çdo qytetar që më dëgjon përmes kësaj studios sot, që është një studio tmerrësisht e rëndësishme, duhet të kuptojë që nuk mund të eci më me tifozllëk. Jo më me partinë që na la gjyshi, jo më me tifozllëk, ai është joti, ky është imi. Por duhet të fillojmë të kërkojmë llogari, llogari brenda familjes tonë politike, për ata që janë me iks parti apo ypsilon parti, llogari në qytetet tona ndaj të zgjedhurve vendorë që janë kryetarët e bashkisë, llogari kryesisht ndaj liderëve politikë dhe kryetarëve të partive për të kërkuar më në fund hapjen e garës dhe ndryshimin e sistemit. Aty është nëna e të gjithë të këqijave në Shqipëri. Mungesa e garës, mungesa e meritokracisë. Kjo bën që shoqëria mos të ketë mundësi për të promovuar më të mirët e vet.
Zëri i Amerikës: A mendoni se kjo do të ishte zgjidhja, pra ndryshimi i sistemit, apo problemi qëndron tek një lloj kalçifikimi i shoqërisë shqiptare përgjithësisht?
Adriatik Lapaj: Unë mendoj që ndryshimi i sistemit elektoral, hapja e garës do të zgjidhte të gjitha kyçet, problemet që janë në sektorë të ndryshëm të Shqipërisë, në ekonomi, në jurisprudencë e me radhë, sepse kjo do të thyente ato lidhjet tradicionale që ekzistojnë mes grupeve të caktuara të cilat po e mbajnë peng sot shoqërinë shqiptare. Hapja e garës do të mundësonte që në art më të mirët të na udhëhiqnin, në drejtësi më të mirët të spikasnin dhe të dilnin në majë, në gazetari më të mirët të ishin ata të cilët të na informonin, në politikë më të mirët të shkonin në parlament dhe të bënin ligjet në cilësinë e duhur, pa influenca të caktuara të cilat i shërbejnë një grupi të vogël njerëzish. Dhe këto do të krijonin kushtet e nevojshme për investitorë të brendshëm dhe të huaj, për rikthimin e shumë shqiptarëve të cilët nuk e shohin më jetën aktualisht në Shqipëri dhe për frymëzimin e çdo të riu që ulet në bankat e universitetit për ta parë të ardhmen në Republikën e Shqipërisë.
Zëri i Amerikës: Falenderit zoti Lapaj që ndatë mendimet tuaja me Zërin e Amerikës.
Adriatik Lapaj: Unë ju falenderoj shumë për hapësirën. Dikur kjo studio për të parët e mi ka qenë ëndërr që e dëgjonin në fshehtësi. Sot është realitet dhe unë kam shumë shpresë që në Shqipëri një brez i ri është duke ardhur dhe një brez i ri do ta ndryshojë atë vend.