Avokati i Adjola Lakrës: U mbajt në burg pas shpifjes që helmuan opinion publik

“Arrest me burg” dha Gjykata e Tiranës për 26-vjeçaren Adjola Lakra, e arrestuar disa ditë më parë nën dyshimin si bashkëpunëtore në vrasjen e Hekuran Billës. Para Gjykatës, 26-vjeçarja ka mohuar akuzat, duke mos pranuar se ka qenë bashkëpunëtore në ekzekutimin mafioz që ndodhi në zonën e Komunës së Parisit.

Avokati mbrojtës, Andi Duro mohoi akuzat ndaj klientes së saj, ndërsa tha se e vetmja arsye pse ajo u la në burg është për shkak të helmimit që i është bërë opinionit publik. Sipas tij, nuk ka prova që të faktohet akuza ndaj vajzës dhe se ajo po hetohet në rolin ndihmës.

”E vërteta mesa duket nuk është as ajo që ka ndodhur dhe as ajo që provohet. E vërteta qenkan shpifjet që publikohen në gazeta. Vajza nuk i ka thënë kurrë ato që nxirrni ju. Shumë shpejt kur të dalë e lirë do flasim prapë. Sot ajo ngeli në burg për shkak të helmimit që i është bërë opinionit. I vetmi moment mëkat mund të them është fatkeqësia që përpara se të njihte viktimën ka njohur një prej të dyshuarve. Ajo po hetohet në rolin e ndihmës por do ta kuptoni që as këtë rol nuk e ka. Të vetmet prova janë vetëm deklarimet e saj të sinqerta. S’ka pasur dijeni për rastin, s’ka qenë në dijeni se kishte gjakmarrje në mes. Ditën e ngjarjes ajo s’ka telefonuar njeri, por e kanë telefonuar. U garantoj që asnjëherë as e ka ditur as është paguar. Njohja me Billën është bërë nëpër rrjetet sociale. Por nuk do them gjë më shumë, pasi nëse vazhdoj mund të cenoj hetimin”.

SHKARKO APP