Avokati i Lefter Kokës: Kallëzimi është politik!
Avokati mbrojtës i Lefter Kokës, Fatmir Braka, foli për mediat pas vendimit të gjykatës për caktimin e masës “arrest me burg” për ish-ministrin. Ai deklaroi se në gjykatë është diskutuar më shumë akuza për “shpërdorim detyre”.
“Lefter Koka mbajti atë qëndrim që i përgjigjet të vërtetës dhe realitetit, që është i pafajshëm. Konfirmoi që nuk ka përgjegjësi për procedurat që janë aplikuar për impjantin në Elbasan. Ai thotë që për të gjithë këtë proces nuk ka përgjegjesi asnjë. Duke mos pasur vetë përgjegjësi, nuk aludon se mund të ketë përgjegjegjësi një tjetër”, tha ai.
“3.7 mln euro ryshfet? Aty nuk u tha nga Prokuroria. Edhe për korrupsionin që flitet duhet të provohet që është bërë. U morëm me veprën penale shpërdorim detyre dhe ju them që nuk ka përgjegjësi penale për procedurat. Nuk është normale që ai të jetë person në hetim. Fillimi i këtij procesi ka qenë politik. Sot është bërë një tjetër shtojcë kallëzimi nga ana e LSI-së. Nuk është normale që një person merret nën hetim dhe arrestohet kur nuk është pyetur asnjë herë”, shtoi avokati.
Fatmir Braka bëri me dije se vendimi do ankimohet në Gjykatën e Apelit.
“Kallëzimi është politik. Nuk pati prova të reja. Nga momenti i komunikimit të vendimit do na vihen në dispozicion dhe do bëjmë ankimin në Gjykatën e Apelit”, tha ai.