Avokati i Malaj paralajmëron: Loja me Bankën e Shqipërisë e rrezikshme, rrezikojmë një tjetër ’97

Në Komisionin e Ekonomisë ku po shqyrtohej propozimi i qeverisë për të pezulluar nga detyra anëtarin e Bordit të Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë Arben Malaj, avokati i këtij të fundit Jordan Daci argumentoi në terma ligjorë se pse kjo procedurë ka nisur mbrapsht.

Së pari, në gjykimin e tij kjo kërkesë duhet të shqyrtohej nga komisioni i ligjeve, ndërsa kërkesën e Këshillit të Ministrave e cilësoi të paligjshme dhe të pa mbështetur në prova.

Daci paralajmëroi se loja që po bëhen me Bankën e Shqipërisë është një lojë e rrezikshme pasi nëse Banka cënohet rrezikojmë një piramidë të dytë pas asaj në ’97’.

Daci: Kjo procedurë ka filluar gabim. Kemi dy propozues për një fakt, vetë Kuvendi ja ka kaluar të drejtën Këshillit Ministrave dhe pastaj Këshilli i Ministrave, duke qenë se ne kemi të drejtë ti bëjmë pyetje kërkuesit, ne nuk mund t’ja bëmë me korrespondencë. Do të duhej të sigurohej prania. Pjesa e dokumentacionit të procedurave të ndjekura nga Këshilli i Ministrave që ne kemi arsye të mjaftueshme të dyshojmë se janë të paligjshme do të duhej të ishin pjesë e shqyrtimit.

Kjo procedurë nuk duhet të fillonte me komisionin e ekonomisë por atë të ligjeve.Kjo është një mbledhje që përpiqet të zhvillojë një lloj hetimi. Në material vetë nocionet bien ndesh me atë që kërkojnë kërkuesit. Loja me Bankën e Shqipërisë është lojë shumë e rrezikshme, nëse Banka cënohet ne të gjithë do të jemi në një piramidë të dytë si ajo e ’97. Kemi një kakofoni juridike të çuditshme sa i takon diskrecionit. Na dalin dy organe, Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave. Së dyti, administrimi i provave, ju po shqyrtoni një akuzë dhe do të duhet të jetë konkrete dhe jo me fjalë të përgjithshme.Nuk mund të vazhdoni gjykimin e një të akuzuari që nuk keni asnjë provë dhe as kërkoni asnjë provë.

SHKARKO APP