Avokati i Popullit flet në Bruksel: Mbipopullime në burgje për shkak të paraburgimeve
Në një raportim në Bashkimin Evropian, Avokati i Popullit, Endrit Shabani ngriti alarmin mbi dështimet strukturore që po cënojnë të drejtat themelore të qytetarëve në Shqipëri, duke u ndalur ekskluzivisht te sfidat e sistemit të drejtësisë dhe cenimi i të drejtës së pronës. Shabani theksoi se këto problematika kërkojnë ndërhyrje emergjente nga autoritetet kombëtare.
”Vonesat e tepruara në sistemin e drejtësisë po mohojnë aksesin në drejtësi dhe të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Të dhënat e institucionit tregojnë se çështjet që lidhen me pronat dhe proceset gjyqësore përbëjnë numrin kryesor ankesave. Vonesat e tepruara gjyqësore nuk janë thjesht zvarritje procedurale; ato po komprometojnë strukturalisht të drejtën e qytetarëve për një proces të rregullt ligjor, duke e kthyer kolapsin e sistemit në një mohim të vetë drejtësisë”,-tha Shabani.
Avokati i Popullit shtoi se kjo problematikë në sistem gjithshtu ndikon begatimin ekonomik të qytetarëve. ”Kur qytetarët detyrohen t’u drejtohen gjykatave për të zgjidhur këto mosmarrëveshje, vonesat e stërzgjatura bëjnë që asetet e tyre të bllokohen për vite me radhë duke prodhuar edhe një dëm ekonomik. Ky kryqëzim i mosfunksionimit administrativ me vonesat gjyqësore kufizojnë të drejtën e pronës duke i kufizuar qytetarët nga mjetet ligjore dhe duke i lënë pa mbrojtje reale”,-u shpresh Avokati i Popullit.
Ai preku edhe cështjen e numrit të lartë të paraburgosurve në sistemin peritenciar shqiptar. “Përdorimi i paraburgimit si standard po mbingarkon burgjet duke rënduar kushtet ku qëndrojnë të burgosurit, sidomos ata që kanë probleme me shëndetin mendor. Paraburgimi duhet të jetë përjashtim, jo normë, nëse do të respektojmë parimin e prezumimit të pafajësisë”,-deklaroi Shabani, gjatë fjalës së tij në punimet e takimit të 17-të i Nënkomitetit për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë (JFS), i cili operon në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.
KOHA JONË SONDAZH

