Avokati i Popullit: Mos i lini pa energji ata që s’e paguajnë dot

Të mos mungojë energjia elektrike për familjet e varfra, që nuk kanë mundësi ta paguajnë atë.

Ky është një nga propozimet që Avokati i Popullit ka depozituar pranë Kuvendit të Shqipërisë mbi aksesin e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët e cënueshëm.

Duke shtuar se është i nevojshëm krijimi i mundësive të diferencuara në mënyrën sesi do të ofrohet energjia elektrike dhe krijimi i skemave lehtësuese të përballueshme për pagesat e saj për familjet në nevojë. Aktualisht, sipas AP-së, është koha dhe duhet të krijohen programe specifike vetëm për konsumatorët në nevojë. Dhe në gjykimin e tij, kjo duhet të shoqërohet me një paketë ndryshimesh ligjore me qëllim ndryshimin edhe të skemave për aksesueshmërinë në këtë shërbim për grupet vulnerabël.

“Ky rekomandim është bërë mbështetur në situatën aktuale ku janë rritur ndjeshëm ankesat për ndërprerje të energjisë elektrike, në disa raste me muaj, nga pamundësia për të paguar faturat. Furnizimi me energji elektrike është bërë gjithnjë e më i vështirë për grupet e cënueshme dhe në risk. Duke mbajtur në konsideratë ndryshueshmërinë në çmimin e energjisë elektrike, pamundësinë e pagesës së saj, prej faktorit ekonomik, shumë qytetarë po përballen me mungesën e furnizimit të vazhdueshëm me energji elektrike, sidomos gjatë stinës së dimrit”, citon Avokati i Popullit.

Për të argumentuar më tej se sipas treguesve të nivelit të varfërisë rreth 14.3% të familjeve jetojnë në varfëri absolute (e përcaktuar në Shqipëri si numri i personave me konsum mujor real nën 4891 lekë) si dhe rreth 2.2% jetojnë në varfëri ekstreme (e përcaktuar si numri i personave që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore).

Por edhe se aktualisht, rreth 7.3% e familjeve shqiptare trajtohen me ndihmë ekonomike, në mungesë të llogaritjes së minimumit jetik, që nuk përputhet me standardin e jetesës në Shqipëri. Por, në realitet nuk është ky numri i familjeve që kanë nevojë për mbështetje nga skema, pasi numri i kërkesave është shumë më i madh.

“Duke gjykuar se pavarësisht se ekzistojnë skema lehtësuese për pagesën e detyrimeve të prapambetura, apo garanci ligjore për të gjithë ata konsumatorë të cilët rezultojnë debitorë, mbrojtja sociale dhe ekonomike e grupeve të cenueshme nuk është e mjaftueshme dhe duhet të konsiderohet prioritet për shkak se familjet në nevojë ekstreme nuk arrijnë dot të sigurojnë mbijetesën dhe jo më të përballen me faturat për pagesat e shërbimet publike. Kjo duhet të shikohet e lidhur ngushtësisht edhe me gjetjen e mundësive për shmangien e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike për këto grupe”, konkludon Avokati i Popullit.

 

SHKARKO APP