Avokati i Popullit: Si humbet një betejë pa e nisur, analiza e Lutfi Dervishit
Nga Lutfi Dervishi
Marrëveshja për Avokatin e Popullit ka një traditë të konsoliduar: kandidatura e propozuar zakonisht vjen nga opozita. Por tradita ka edhe një kusht themelor, kandidati duhet të pranohet nga shumica, sepse ajo ka votat. Në finale, nuk zgjidhet avokati i opozitës, por Avokati i Popullit.
Në këtë rast, votat e disa deputetëve të PD-së për të mbështetur futjen në garë të gjashtë kandidatëve, mes tyre dhe Shabanit, kanë eklipsuar si ngjarjet kryesore (çështja Balluku) ashtu edhe lëvizjet brenda partisë (Salianji).
Çfarë mund të kishte bërë më mirë opozita? Disiplinë. Të paraqiste vetëm një kandidat të fortë, të paanshëm, dhe të linte shumicën të mbante përgjegjësinë politike të refuzimit. Ose të nisë procesin nga figura me kontribut të padiskutueshëm për PD-në, si rasti i zonjës Kalaja, ose të mbështeste vetëm zotin Ndregjoni, që kishte kandiduar në legjislaturën e kaluar.
Çfarë ndodhi realisht? Opozita hyri në proces pa një sinjal të qartë se do të mbështetej një kandidat i saj. Deputetët opozitarë mbështetën disa kandidatë për fazën e dëgjesave, duke i dhënë shumicës alibinë perfekte. Shumica nuk firmosi për asnjë kandidat (“Ne nuk kemi kandidatë”) dhe, teknikisht, nuk bëri faull, por përdori një hile taktike.
A pati pazar Rama–Berisha? Shitje? Tradhti? Pak e besueshme që kryetari i PD-së të bëjë një pazar të tillë me Kryeministrin. Kur opozita e kuptoi lojën, ishte shumë vonë. Ishte një hile tipike e Ramës, nga ato që ai jo vetëm i përdor, por edhe i shijon.
Si shpeshherë vitet e fundit, opozita humbi mundësinë për të përfituar dhe dha ushqim për akuzën: “këta janë bashkë”. Ndërsa shumica ecën me ritmin e vet sipas parullës bolshevike “i gjithë pushteti sovjetëve”, forca kryesore e opozitës duhet të nxjerrë mësime për të mos bërë autogola të tilla.
KOHA JONË SONDAZH

