Avokati u godit për një gjyq pronësie, Sali Berisha: Pagoi betejën e tij për ligjin
Sali Berisha nga dritarja e banesës reagoi sërish për sulmin ndaj avokatit të tij Sokol Mëngjesi. Ndërsa policia ka sqaruar të gjithë dinamikën e ngjarjes, dhe ka identifikuar autorët të cilët e goditën avokatin për shkak të detyrës, konkretisht pas një gjyqi që ai i kishte përfaqësuar për çështje pronësie, Berisha tha se ai “është një luftëtar i të vërtetës dhe se pagoi sot betejën e tij për ligjin”.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Të dashur miq, sot krimi i mbështetur, i mbrojtur, i fuqizuar nga qeveria e krimit, goditi një prind tek dërgonte fëmijën në kopsht. Goditi një akademik, profesor. Goditi një qytetar me integritet. Një njeri të virtytshëm, një shërbëtor të shkëlqyer të qytetarëve të vendit.
Goditi profesor Sokol Mëngjesin. Të dashur miq, Sokol Mëngjesi është nga ata intelektualë që studioi jashtë, por u kthye t’i shërbejë vendit të vet dhe qytetarëve të tij.
T’u shërbejë atyre me dinjitet. Ai është një personalitet në botën akademike shqiptare. Një specialist i shquar në fushën e tij. Por ai është një luftëtar i të vërtetës dhe ai pagoi sot betejën e tij për të vërtetën, për ligjin, për të drejtën.