Avokatja e popullit bën kërkesën në Komision: Duam makina të reja, lëvizim me të vjetra
Avokatja e Popullit Erinda Ballanca ka qenë e pranishme sot në Komisionin e Ligjeve, ku po diskutohet në lidhje me projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, ku kishte disa kërkesa për institucionin që ajo drejton.
Ballanca kërkoi që të zgjerojë stafin e saj me të paktën një person, që do të merrej me adresimin e çështjeve klimaterike dhe me mbrojtjen e gjeneratave të ardhshme.Po ashtu avokatja e popullit kërkoi disa mjete të reja, pasi sipas saj ato ekzistuese janë amortizuar dhe kërkojnë shumë para për mirëmbajtjen e tyre.
Në fund Ballanca pranoi se ajo është në fundin e mandatit në krye të institucionit, dhe kjo ishte hera e fundit që ajo del përpara Komisionit të Ligjeve.
“Jemi në pararojë të mbrojtes së të drejtave të njeriut. Ka një diferencë në buxhetin e avokaturës së popullit, që ka të bëjë me pagat. Ministria e Financave nuk na akomodon fondin total, dhe kjo ka të bëjë kryesisht me pagat e komisionereve, që kanë 2/3 e pagës së avokates së popullit. Është në kundërshtim me vetë ligjin. Çdo e drejtë që unë kam, ato duhet të kenë 2/3 e tyre.
Unë kam shënuar numrin total të stafit të avokatit të popullit, që janë 56 persona, përfshirë stafet mbështetëse. Hera e fundit që Avokati i Popullit ka pasur një shtesë punonjësish në nivel teknik ka qenë në 2014. Kam bërë kërkesë në mënyrë të vazhdueshme rritjen e stafit, të paktën të kemi të shtuar një punonjës në nivel ndihmës komisioneri. AP është mbrojtës i mbrojtësve të të drejtave të njeriut.
Shtimi i një njeriu që do të trajtojë mbrojten e të drejtave të njeriut, do të reflektohej dhe në progres raport, do të merrej me çështjen e ndryshimeve klimaterike, dhe mbrojtjen e gjeneratave të ardhshme. Mund të kemi dhe rialokim të zerave të buxhetit. Kërkesa e fundit është ajo për të përmirësuar punën e inspektimeve, mundësitë teknike nuk janë ato që duhet, lëvizim me automjete të viteve ’99 apo 2002.
Shpenzojmë shumë të ardhurave për mirëmbajtjen e tyre, sesa në rast se do të blinim një mjet me parametra më të mira. Jemi munduar që shumë nga çështjet ti zgjidhim me donatorë, duke u munduar që të mos prekim shifrën që na vjen nga buxheti i shtetit. Po përpiqemi maksimalisht vetë me donatorët, u falenderoj për vëmendjen dhe shpresoj që për herë të fundit që unë paraqitem, të mi plotësoni kërkesat që unë paraqita në emër të institucionit”, tha Ballanca në Komision.