Avokatja: Protestuesit që shoqërohen në rajon mbahen në kushte skandaloze
Avokatja Irena Dule e cila ka parë nga afër ambientet ku janë mbajtur protestuesit e shoqëruar në polici, mes tyre dhe të mitur, ka deklaruar për ABC se ata qëndrojnë në kushte skandaloze. Ajo u shpreh se protestuesit nuk janë lejuar të takojnë familjarët dhe janë detyruar të deklarojnë se nuk kanë nevojë për avokat mbrojtës.
“Kam parë që protestuesit janë provokuar. Janë shkelur të drejtat e të gjithë protestuesve. Nuk di ndonjë rast konkret për të miturit. Nuk di se çfarë duhet të ishte bërë në ndonjë rast konkret por nuk duhet të ketë dënim kolektiv. Të gjitha këto janë shkelje.
Di të them raste konkrete që i kam parë në punën time. Nuk kam qenë ndonjëherë pjesë e këtyre procedurave. I njoh procedurat teorikisht. Unë kam raportuar para tre katër ditësh duke dhënë disa fakte që i pashë vetë me sytë e mi.
Më bëri shumë përshtypje kushtet që pashë, që janë jo të padrejta por skandaloze, në nivelet e trajtimit çnjerëzor, torturë. Protestuesit nuk lejoheshin të takonin familjarët. Dukej si një lloj hakmarrje dhe agresiviteti. Përveçse janë rrahur rregullisht çdo ditë i është kërkuar të deklarojnë se nuk kanë nevojë për avokat”, deklaroi Dule.