Avokatura e Shtetit “mbushi 15 vjeç”, ministri Naço: Kërkohen reforma, për në BE!

Në ceremoninë e organizuar me rastin e 15-vjetorit të themelimit të Avokaturës së Shtetit mori pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Nasip Naço. Në fjalën e tij, Naço u shpreh i vendosur për reformimin e Avokaturës së Shtetit, në mënyrë që të përmbushë standardet e BE-së. – “Si institucion që varet nga Ministria e Drejtësisë, Avokatura e Shtetit ka dhe do të ketë mbështetjen time. Ne kemi hyrë në një proces reformimi të të gjithë sistemit gjyqësor, por sigurisht që nuk do lemë mënjanë edhe Avokaturën e Shtetit. Për ta patur atë në standardet më të mira të Bashkimit Evropian. Shpreh angazhimin tim, si ministër i Drejtësisë, në drejtim të Avokaturës së Shtetit për transformimin e saj në rrugën e duhur,”- u shpreh Naço, i cili vlerësoi më tej punën e avokatëve të shtetit, duke theksuar se kanë treguar integritet dhe profesionalizëm. – “Ky institucion është i vetmi që mbron vlerat pasurore të shtetit. Pavarësisht dëshirës që ne kemi që duam të fitojmë çdo çështje, kjo praktikisht është e pamundur por në çdo rast unë kam konstatuar se nga avokatët është treguar integritet dhe profesionalizëm,”- përfundoi Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.

SHKARKO APP