Azem Hajdari në karrigen ku u ul Nexhmije Hoxha

-Botuar me 27 Shkurt 1993-

Nga Aleksandër Frangaj

Të mërkurën më 24 shkurt, në gjykatën e Tiranës u zhvillua gjyqi i udhëheqësit të Lëvizjes Studentore, themeluesit dhe kryetarit të parë të Partisë Demokratike, deputetit dhe kryetarit të komisionit parlamentar për rendin, mbrojtjen dhe SHIK-un, zotit Azem Hajdari.  Para se të fillonte gjyqi, përpara Gjykatës u grumbulluan qindra njerëz, banorë të Tiranës, studentë dhe qytetarë të ardhur nga Kavaja në përkrahje të zotit Hajdari. Thirrjet e zjarrta të tyre, “Azem Hajdari do të fitojë”, “Do fitojmë apo jo – po, po, po” etj. si këto, bënë që policia të ndërhynte forcërisht ndaj demonstruesve me shkopinj gome për t’i shpërndarë ata. U  bllokua qarkullimi në rrugën e Durrësit, dhe pas goditjeve me shkopinj gome, policia arrestoi edhe disa persona të cilët ne nuk i identifikuam dot. Më pas brenda në sallë tensionet ishin të mëdha. I pandehuri Azem Hajdari, i mbrojtur nga avokati Spartak Ngjela theksuan dhe këmbëngulën se ky është një gjyq politik i inskenuar nga sekretari i përgjithshëm i PD, Tomorr Dosti. Akuza për rrahje dhe fyerje në krye të detyrës të një punonjësi të administratës së PD, Sotir Qirjaqit, nuk u pranua si e vërtetë nga i pandehuri dhe avokati, por ky ishte një sajim i Tomorr Dostit dhe shokëve të tij ballistë, për të ulur autoritetin e deputetit Hajdari, i cili ka qenë gjithmonë kundër këtyre njerëzve pensionistë që kanë hyrë në PD për të marrë ndonjë rrogë dhe për të përfituar nga një karrige në pushtetin e fituar nga të rinjtë dhe krijuesit e PD, të cilët sot janë të përjashtuar nga kjo parti. Edhe ndarjen e partisë e shkatërrimin e saj, zoti Hajdari ia dedikoi Tomorr Dostit dhe klanit të tij ballist. “Unë dhe shokët e mi, tha zoti Hajdari, nuk dolëm në dhjetor për të sjellë në pushtet gjysmën e partisë së punës, por për të krijuar një parti vërtet demokratike, të cilën sot fatkeqësisht e kanë uzurpuar shokët e Tomorr Dostit, që po t’ua mbledhësh të gjitha vitet e shkollës nuk kanë as sa djali im vetëm”.

Unë kam ardhur sot këtu për të respektuar drejtësinë, tha zoti Hajdari dhe Gjykata duhet ta ketë parasysh kur të marrë vendimin se këtu nuk gjykohet Azem Hajdari, por e gjithë zona që më ka dhënë votën t’i përfaqësoj në Parlament. Unë nuk e kam problem për vete, tha zoti Hajdari se unë nuk merrem me njerëz të tillë, si Sotir Qirjaqi, por e kam me nderin e deputetit. Kur kam deklaruar në Parlament se unë “kur nuk pyeta për plepa si Enver Hoxha e Ramiz Alia, për kallamat nuk e kam problem fare”, kam dashur të them se kallamat janë Tomorr Dosti me shokë dhe unë këta pensionistë nuk i llogaris fare sepse kam mbështetjen e rinisë dhe demokratëve të vërtetë. Ndërsa avokati Spartak Ngjela theksoi se “Si mund të shpjegohet fakti që menjëherë rendet pas një kallëzimi, i cili në përmbajtje të tij është tepër larg kërkesave që pranon neni 119 e 120 i Kodit Penal? Ose, si mund të shpjegohet fakti që kallëzimi i zotit Qirjaqi qëndron krejt e krejt brenda kontureve juridike për cilësimin e një rrahje të thjeshtë, sepse aty s‘ka asnjë element që të shtyjë te motivi “për shkak të detyrës, në një kohë kur fill pas tij brenda tri ditësh, ish-prokurori i rrethit të Tiranës i është drejtuar kryesisë së Kuvendit Popullor me kërkesë për heqjen e imunitetit të deputetit Azem Hajdari? Ose, si mund të shpjegohet fakti që vetë Kushtetuta në fuqi e ka ndarë prerë partinë nga shteti, kurse ish-Prokurori i Tiranës as që e përfill këtë fakt ekskluziv kushtetues, e pa asnjë përgjegjësi juridike e vlerëson një kallëzim të dyshimtë brenda frymës së vjetër të së drejtës së posaçme penale, përkatësisht me nenin 119 e 120 të Kodit Penal, kur konstitucionalisht Partia e Punës cilësohej si udhëheqësja e jetës së vendit? Si mund ta shpjegojmë faktin që zoti Hajdari pretendon gjatë pyetjes së tij si i pandehur se këtu kemi të bëjmë me një inskenim politik, denoncon bile me emër njërin nga dëshmitarët e akuzës, përkatësisht Tomorr Dostin, kurse ish-prokurori rrethit as që e përfill këtë fakt? E më në fund, si mund ta shpjegojmë faktin që për çështjen penale në të cilën gjenden vetëm 6 dëshmi janë dashur afro 6 muaj punë”? Gjithashtu avokati Ngjela nga ana e tij kërkoi që procesi gjyqësor të mbyllej pasi, në bazë të nenit 8 të organizimit të drejtësisë, Azem Hajdari e ruante imunitetin dhe si i tillë nuk mund të ulej në bankën e të akuzuarve. Megjithatë trupi gjykues nuk e mori parasysh propozimin e palës mbrojtëse. Në përfundim të mbrojtjes, kryetari i gjyqit i thotë zotit Hajdari se çfarë kërkon nga trupi gjykues. Zoti Hajdari tha se unë nuk kërkoj asgjë për vete por kërkoj që Tomorr Dosti të dalë në gjyq për shpifje. Unë, tha ai, do të kërkoj në Parlament që këtij t’i hiqet imuniteti dhe të përgjigjet për shpifjen që ka sajuar së bashku me shokët e tjerë. Më pas trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin të cilin e dha në orën 15 e 30 minuta. Kryetari i trupit gjykues, pasi theksoi se rrahja dhe fyerja e Sotir Qirjaqit nuk është bërë në krye të detyrës, që kjo rrahje është e thjeshtë dhe nuk ka lidhje me funksione shtetërore pasi partia është e ndarë nga shteti, pasi mori në konsideratë aktivitetin dhe moshën e re të zotit Hajdari si dhe të martuar e me dy fëmijë, vendosi ta quajë fajtor dhe ta dënojë me QORTIM SHOQËROR.

E gjithë kjo zhurmë kur u kërkua heqja e imunitetit 6 muaj, hetuesi dhe shqetësime të tjera për deputetin si dhe gjithë ajo “rrahje”e madhe e Sotirit u konkretizuan me qortim shoqëror. Duhet theksuar se nuk u caktua data dhe vendi që do t’i bëhej qortimi shoqëror zotit Hajdari. Pas gjyqit të Prokurorit Maks Haxhia, i cili u dënua me 1002 lekë, ky gjyq ishte një tjetër blof. Pas dhënies së vendimit avokati Ngjela na deklaroi: “Vendimi ishte jo serioz që komprometon pushtetin gjyqësor por që në të njëjtën kohë i jep zotit Hajdari një kartë më tepër në përforcimin e mëtejshëm të personalitetit të tij politik. Dhëntë Zoti të mos na shohin më sytë gjyqe të tilla, megjithëse personaliteti i deputetit të nderuar Hajdari doli pa u cenuar. Ne nuk jemi dakord me këtë vendim dhe çështjen do ta çojmë në Gjykatën e Kasacionit, pasi Gjykata e Tiranës ka marrë një vendim antikushtetues”. Gjithashtu pas gjyqit edhe deputeti Hajdari deklaroi për gazetën tonë: “Vendimi i trupit gjykues përveç se është antikushtetues sepse bie ndesh me dispozitat kryesore kushtetuese, është edhe bashkëpunim me një skenar politik të sajuar kundër meje.

Rrëzimi nga trupi gjykues i akuzës për të cilën më ishte hequr imuniteti, presupozonte përfundimin e gjyqit dhe pafajësinë time. Marrja e vendimit nga gjykata ishte për të justifikuar skenarin, por pas këtij vendimi edhe unë kam marrë një vendim, të cilin do ta bëj të njohur publikisht ditën e hënë në një konferencë shtypi që do të jap në orën 11 në Pallatin e Kongreseve”.

Nuk mund të lëmë pa përmendur se gjyqit të Nexhmije Hoxhës i ishte kushtuar një vëmendje dhe rëndësi më e madhe pasi të gjitha seancat e tij u transmetuan të plota nga RTV, ndërsa për gjyqin e një deputeti nuk u përgatit asnjë kronikë e shkurtër me figurë. Ky gjyq është dhe një tjetër goditje që u bëhet themeluesve të Partisë Demokratike nga klani mjaft i rrezikshëm që drejtohet nga ish-Enveri i vogël i Nju Jorkut, Abdi Baleta, siç deklaroi në gjyq deputeti Azem Hajdari tashmë i dënuar me qortim shoqëror, e që duhet të japë llogari para elektoratit të tij prej 23 mijë vetash për dy pëllëmbë në dëm të vartësit të vet./Aleksandër Frangaj/

 

SHKARKO APP