Azilantët nga Shqipëria drejt BE-së, 4335 kërkesa në 6 muaj

Të dhënat e Eurostat mbështesin shqetësimin e Presidentit francez Macron për numrin e lartë të azilkërkuesve nga Shqipëria. Sipas Eurostat nga janari në qershor të këtij viti 4,335 shqiptarë kërkuan azil në Francë, vend ky që tërheq rreth 40 përqind të të gjitha kërkesave të ardhura nga Shqipëria. Në deklaratën përpara mbledhjes së Këshillit Europian, Presidenti Macron tha se “nuk mund t’ua shpjegonte dot francezëve se si vendit të dytë që kërkon më shumë azil në Francë po i shkojnë gjërat aq mirë sa t’i hapen negociatat për të hyrë në BE”.

Në këtë pikë duke u konsultuar me shifrat zyrtare të Eurostat, pretendimet e Macron rezultojnë të vërteta. Edhe këtë vit Shqipëria është mes 3 vendeve të origjinës me më tepër azilkërkues në Francë. Ajo renditet pas Gjeorgjisë dhe Afganistanit me 4,335 aplikime në 6 muajt e parë të vitit 2019. Në përgjithësi prirja për të kërkuar azil në Francë mbetet e njëjtë me vitet e fundit përpara Greqisë apo Britanisë së Madhe.

Nga 10,560 aplikime që ka patur në 6 muajt e parë të këtij viti nga shqiptarët, 4,335 kanë qenë në Francë. Në vitin 2018 rreth 20 mijë shqiptarë aplikuan për azil, 41 për qind e kërkesave ishin në Francë. Në shifra 8,311 shqiptarë kërkuan azil në këtë vend për vitin 2018, ndërsa një vit më parë kërkesat kishin qenë 7,600. Numri i lartë i azilkërkuesve ishte një nga pikat që e penalizoi Shqipërinë në hapjen e negociatave. Vendet e BE-së nuk kanë rënë dakord për të nisur bisedimet duke i shtyrë për vitin tjetër. Macron ka bërë thirrje për reformimin e procesit.

SHKARKO APP