Azilanti kthehet dy herë nga Gjermania: Do iki sërish, këtu s’ka asgjë

Është vetëm 21 vjeç dhe banon në fshatin Rragam të Shkodrës. Safet Muça është një prej qindrave të rinjve shqiptarë që ka kaluar kufirin me një pikësynim të qartë, të kërkojë azil në Gjermani, kjo me shpresën për një jetë më të mirë. Ka shkuar dy herë në këtë shtet, ku herën e parë është kthyer nga autoritetet atje dhe këtë radhë pas 8 muaj e gjysëm qëndrim, u kthye vullnetarisht, por për arsye familjare. Megjithatë ndryshe nga ajo çfarë thonë shumë të rinj të tjerë të kthyer, ai është i penduar dhe shpresën e sheh tek largimi sërish nga vendlindja e tij, me të njëjtin destinacion Gjermaninë. Arsyet sipas 21 vjeçarit janë të qarta, ekonomike.

“Atje duhet me ik derisa të na pranojnë. Këtu është problem i madh. Këtu njerëzit po trullosen se nuk po kanë të ardhura, e thonë pastaj pse ndodhin vrasjes, etj. Kjo është arsyeja që ndodhin të gjitha në vendin tonë. Njerëzit s’kanë çfarë të hanë. Është e dyta herë që jam në azil në Gjermani. Njëherë ndejta 6 muaj e më kthyen, të dytën herë kam ndejtur 8 muaj e gjysmë por tani erdha me dëshirë se kisha prindërit sëmurë, por jam penduar që kam ardhur sepse këtu s’paska asgjë. Duhani e perimet e të gjitha po shkojnë dëm”, tha ai.

Ka trokitur në zyrën e punës në Shkoder, por përgjigjia ka qënë kjo:

“Ku të punoj? Zyra e punës Shkodër nuk përgjigjet për asgjë. Thotë s’ka”, shton ai.

Pritjen e bërë në Gjermani, ai e quan luks, ndërsa na tregon pagën javore që ka marrë dhe vendin ku ka qëndruar.

“Na kanë pritur mirë dhe luks. Atje përfitonim 350 euro, ka qenë më e vogla, për beqarët që kanë qenë vetëm. Për familjarët 300 euro. Është shumë jetë e mirë në Gjermani. Këtu nuk më bëhet më të jetoj. Jetoj me nënën dhe babain. Kemi vetëm kempin e nënës dhe pensionin e babait”.

Si ky 21-vjeçar janë edhe qindra të rinj e të reja që çdo ditë shpresën për një jetë më të mirë dhe ndërtimin e të ardhmes së tyre e shohin tek emigrimi dhe kërkesa për azil. Edhe pse Europa po flet qartë se Shqiptarët nuk përfitojnë këtë status, kjo nuk i tremb ata që të provojnë, të paktën për pak muaj të marrin pak të holla që në vendin e tyre nuk i sigurojnë as për 2 vite punë.

SHKARKO APP