Babai i 19-vjeçares shqiptare: Më ndihmoni, vajzën ma rrëmbyen
Babai i 19-vjeçares shqiptare që prej ditësh ka humbur në Greqi, Jani Vasilis i ka bërë thirrje që të rikthehet në shtëpi. Në një lidhje telefonike për emisionin “Pa Gjurmë”, Vasilis u shpreh i shqetësuar se vajzën Artemis mund ta kenë rrëmbyer dhe se jeta e saj është në rrezik. Sipas tij, e reja nuk ka marrë me vete asnjë mjet identifikimi, ç’ka lë të kuptohet se ajo nuk ka pasur në plan të largohet asgjëkundi, duke hequr dyshimet edhe me gjendjen e saj mendore.
”Vajza është larguar nga shtëpia, pasi do bënte një intervistë pune në një dyqan lodrash dhe nuk u kthye më. Ne jemi interesuar dhe vajza nuk ka shkuar fare në atë dyqan. Vajzën mund ta kenë rrëmbyer dhe është në rrezik për jetën. Jemi lidhur me shoqërinë e saj, por asnjë nuk është në dijeni. Ka folur me motrën, nënën dhe gjyshen për herë të fundit para se të largohej nga shtëpia. Telefoni i saj rezulton i fikur, një orë pasi humbi gjurmët, rreth 16:20. Vajza nuk ka marrë asnjë dokument me vete. Ka pasur të veshur pantallona të zeza, bluzë bojqielli me viza të bardha. Ne kemi 17 vite që jetojmë në Athinë dhe që në vitin 1991 që jemi shpërngulur në Greqi”,- tha babai.
Mediat greke shkruajnë se e reja shqiptare kishte patur një lidhje dashurie me një 24-vjeçar, për të cilin familjarët nuk ishin dakord, babai i 19-vjeçares e mohon. Në fund, dërgon një mesazh për të bijën, të cilës i kërkon që të kthehet në shtëpi dhe të mos ketë frikë për asgjë.
Artemis Vasili, vajza 19-vjeçare me origjinë shqiptare që jeton në Greqi është zhdukur pa lënë gjurmë 5 ditë më parë. Vajza u zhduk të premten në Koropi, teksa familjes i kishte thënë se po shkonte për të dhënë një intervistë pune në një dyqan lodrash, por nuk u kthye më. Disa dëshmitarë janë shprehur se e kanë parë vajzën shqiptare në një gjendje të keqe psikologjike në një rrugë kryesore të Athinës. Për mediat greke ata janë shprehur se kanë parë një vajzë të ngjashme duke qarë në rrugë.
KOHA JONË SONDAZH

