Babai i bariut që iu pre koka: Vrasësin e kam mbajtur me bukë
Lajmi i dhënë dy ditë më parë nga policia greke se Bledar Terpollari është ekzekutuar nga kushëriri dhe bashkëmoshatari i tij, Krenar Terpollari ka tronditur familjarët e viktimës. Ata nuk u kanë besuar veshëve kur kanë dëgjuar në media se personi me të cilin ata kishin ndarë bukën e gojës, ka vrarë dhe më pas i ka prerë kokën djalit të tyre.
Babai i 27-vjeçarit të masakruar më 9 maj në fshatin Gliki të Igumenicës nuk ngushëllohet dot, edhe pse dy personat e tjerë të dyshuar si pjesëmarrës në ngjarjen e rëndë janë arrestuar nga policia greke. Bëhet fjalë për dy 28-vjeçarët nga Tepelena, Emiljano Nana dhe Pajtim Jaupi.
Ndërkohë, në një intervistë, Kujtim Terpollari tregoi me lot në sy se djali i tij e ka pasur si vëlla autorin e krimit. Ai tha se është vrarë për së dyti, ndërsa i bëri apel shtetit që të bëjë drejtësi, pasi në të kundërt do të bëjë vetëgjyqësi.
***
Policia greke ka shpallur në kërkim shtetasin Krenar Terpollari në lidhje me vrasjen e djalit tuaj. E njihni ju këtë person?
Emrin e personit që ka vrarë djalin tim e kam mësuar prej medias. Në momentin që dëgjova këtë kam ngrirë, jam shokuar nga tronditja. Kjo për faktin se Krenarin e njohim dhe biem kushërinj të largët me të. Ai e ka shtëpinë afër nesh. Pastaj e kam ushqyer me këto duar edhe pse mezi ngopja barkun e fëmijëve të mi me bukë, pasi jemi shumë të varfër. Është e tmerrshme të dëgjoj se personit që i kam dhënë bukën e gojës masakroi tim bir.
Dini gjë përse mund ta ketë bërë vrasjen i afërmi juaj?
Kjo është vrasje e dytë për mua. Në çdo moment pyes se pse ma bëri këtë personi që e mbajta në shtëpinë time dhe e kam trajtuar si fëmijën tim.
***
Ndërkaq, dëshmi të tjera tronditëse vijnë nga vrasja me prerje koke e shqiptarit Bledar Terpollari në Greqi.
Mediat greke shkruajnë se një nga autorët e arrestuar për rastin e përshkroi ngjarjen në këtë mënyrë: “Shkuam te tre tek kasollja dhe i ramë portës, ndërkohë që ai hyri brenda e në ndenjëm jashtë. Dëgjuam një të shtënë arme e më pas pamë që doli me trupin e Bledarit. Nxori një thikë dhe i preu kokën. Me pas e futi atë në një thes duke na thënë se do ta çonte në Shqipëri, t’ja tregonte atij që e kishte porositur”, citon CNN grek një nga shqiptarët e arrestuar si bashkëpunëtor në krim.
Sipas të arrestuarit, viktima kishte marrë 20 mijë euro nga shitja e kokainës, para të cilat nuk ia kishte kthyer të zotëve. Krimi i rëndë ndodhi më 9 maj në rajonin malor të Thesprotia.
KOHA JONË SONDAZH

