Babai i dy vajzave të zhdukura, policia më tha: Kthehen vetë, kur të mbarojnë lekët

Hiqmet Kajtazi, babai i dy vajzave që e helmuan atë, nënën dhe motrën e tyre më të vogël dhe një ditë  më pas dogjën banesën në Durrës, duke marrë rreth 5 mln lekë dhe duke humbur prej dy javësh çdo gjurmë, i kërkon shtetit gjetjen e tyre.

Ai denoncon zvarritjen e hetimeve dhe neglizhencën e prokurorisë e të policisë.   

Ai tha se prokurori i çështjes nuk e ka pritur në zyrë, ndërsa shtoi se policia është tallur duke i thënë se vajzat do të kthehen sapo të mbarojnë lekët.

 Orialda Kajtazi , 18 vjeçe, dhe K. Kajtazi, 15-vjeçe, rezultojnë të zhdukura që prej datës 16 korrik.

Babai i tyre pretendon se vajzat nuk janë larguar për ndonjë histori dashurie, sepse nuk dilnin nga shtëpia, por dyshon se janë mashtruar me anë të rrjeteve sociale.

Ai tha se vajza më e madhe, Orialda, kishte lënë kohët e fundit edhe shkollën.

Tre familjarët e tjerë të helmuar nga dy vajzat adoleshente të familjes Kajtazi, dhe më pas djegja e banesës e zhdukja e tyre me paratë që ndodheshin në shtëpi, ka tronditur qytetin bregdetar.

Të tre familjarët e helmuar nga ushqimi kanë mundur pas ndihmës në spital të kalojnë rrezikun për jetën, por po përballen prej dy javësh me një dramë të vërtetë familjare. 

SHKARKO APP