Babai i policit grabitës: Është duke u ndarë nga gruaja dhe në vështirësi ekonomike

Eduart Budini, 30-vjeçari që u ndalua dje në Gjirokastër për llogari të Policisë së Tiranës, pasi dyshohet të jetë autor i grabitjes së taksistit H.H., është punonjës i repartit FNSH të Fierit.

Ai është i martuar dhe baba i një vajze të mitur.

Punonjësi i Policisë në Repartin e Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit, ishte i emëruar me detyrë në Dragot të Tepelenës.

Budini, nga qyteti i Këlcyrës, pjesë e Policisë së Shtetit, ka shërbyer si pjesë e Sektorit të Komandove në Forcat e Armatosura i rekrutuar në Policinë e Shtetit dy vite më parë.

Babai i tij, Feti Budini, për gazetën “Panorama” tha se ai kishte aplikuar edhe për t’u bërë pjesë e repartit RENEA, por nuk kishte arritur.

Eduart Budini jeton në Këlcyrë dhe gjendja e tij ekonomike është e vështirë, përfshirë edhe problemet familjare që ai ka, pasi ishte në proces ndarjeje me gruan.

I ati tregon se ai është i ardhur në Këlcyrë nga fshatrat e thella të Përmetit dhe jeton aty prej disa vitesh së bashku me familjarët e tjerë.

Feti Budini, i ati i Eduartit, tregon se djali i tij ka qenë korrekt me shtetin dhe kurrsesi nuk do ta ndërmerrte një hap të tillë të dënueshëm.

Ai nuk përjashton asgjë, ndonëse i vjen keq që i biri i tij është shndërruar në një person të rrezikshëm.

SHKARKO APP