Babai:“S’i lejoja dot të dilnin pa brekë”.Vajzat: Na quanin kurva, parazite

 

Kur të gjithë i kërkonin dy motrat 18 e 14 vjeçe, Orialda dhe Klevisa Kajtazi ishin duke postuar video në “Youtube”. Motrat të kthyera në bionde u zhdukën prej 1 muaji nga banesa, pasi “helmuan” prindërit e motrën, i vunë zjarrin shtëpisë dhe vodhën rreth 5 milionë lekë të vjetra, kanë rrëfyer se gjithçka e bënë për hakmarrje ndaj familjarëve. “Ata na rrihnin, nuk na kuptonin, na fyenin. Na quanin kurva, parazite, injorante kur në fakt ne nuk kishim bërë asgjë. Na hoqën nga shkolla e nuk na linin kurrë të dilnim, ndryshe nga çfarë thanë se ne dilnim për jetë nate”, tregojnë vajzat. Në video ato mundohen të “fusin në sherr” dhe të afërmit me njëri-tjetrin, ndërsa tregojnë se prindërit fyenin kushërinjtë e fqinjët.

 

“Pasi i gjeti policia, ato thanë që nuk duan të takohemi me prindërit dhe kjo më ka bërë të më priten gjunjët prej dëshpërimit të madh”, ka rrëfyer në një intervistë për “GSH”, babai i tyre, Hiqmet Kajtazi.

Hiqmet, pas arrestimit në policinë e Durrësit, a i takuat vajzat?

Jo, ato u arrestuan të premten. Unë prita me durim përgjatë gjithë ditës dhe kur më dha leje shefi i komisariatit, vajzat nuk donin. Më thanë ata të policisë që nuk duan të takojnë asnjë familjar. M’u prenë gjunjët. E sa nuk m’u mor fryma. Unë mezi prisja t’i shihja, se një muaj kam qarë me gruan e vajzën e madhe.

A keni ushtruar dhunë kundrejt fëmijëve?

Ne jemi një familje që respektojmë traditat. Një familje deri diku konservatore, por kurrë nuk kam qenë diktator për fëmijët e mi dhe bashkëshorten. Edhe nëse u kam tërhequr ndonjëherë vëmendjen, e kam bërë për të mirën e tyre. Atyre mund t’u duket shumë e madhe kjo gjë, por unë pa brekë vajzat nuk mund t’i lejoja të dilnin.

Hiqmet, i patë videot, i morët vesh çfarë thonë vajzat tuaja për ju, nënën dhe motrën?

Unë prisja në polici, në komisariat, që vajzat të vinin të më takonin, të kërkonin falje dhe unë do t’i falja, se i kam evlatët e mi. I kam dëgjuar ca fjalë, por më duket sikur vajzat e mija nuk janë ato që kam rritur unë me gjak e sakrifica që t’i bëja vajza të mira. Unë ende nuk e besoj që fjalët dhe akuzat që ato thonë, kanë dalë prej gojës së tyre. Më duket e pavërtetë çdo gjë.

Hiqmet, vajzat thonë se ju keni ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj tyre.

Pse duhet të kundërshtoj unë gjëra që nuk kanë ndodhur në familjen tonë? Pse duhet të them, janë apo jo të vërteta ca trillime. I qëndroj idesë, se vajzat nuk kanë qenë vetëm, por dikush i ka mësuar. Unë them me bindje të plotë që vajzat gënjejnë, se duan të mbrojnë veten në gjykatë.

Pse do të gënjenin, ju jeni njerëzit më të afërt të tyre?

Gënjejnë se duan t’i shpëtojnë burgut që i pret. Me akuzat që bëjnë, duan të na burgosin ne prindërve duket, e të fusin në sherr të madh të vogël, në fis, krushqi, e miqësi. Na helmuan për tre muaj me radhë mua, gruan dhe vajzën e madhe. Pastaj vodhën e dogjën shtëpisë. Më pas u arratisën e bënin sehir. Ndërsa ne si familje qanim e policia i kërkonte, ato harxhonin lekët e kursyera që kisha punuar në Greqi me vite të tëra. Kësaj i thonë, ç’të bën fëmija, s’ta bën as Perëndia! Të ha kokën fëmija që e bën dhe e rrit me 100 mundime.

Hiqmet, do i ndiqni në gjykatë?

Na thanë se do dalin të hënën në gjykatë. Unë në fakt që sot shkova në polici t’u çoja për të ngrënë e ujë, se i kam vajza, pavarësisht se çfarë kanë thënë ato. Po nuk më lanë t’ua jepja vetë ushqimet, se duhej leje nga shefi i policisë dhe ai nuk gjendej aty në atë moment. Do i ndjek edhe në gjykatë e nuk do t’i denoncoj.

Hiqmet, çfarë të kanë thënë në polici për vajzat?

Më kanë thënë që do shkojnë në burgun e të miturve të Kavajës, për ato që kanë bërë e që akuzohen. Unë si prind nuk i dua vajzat në burg. Takova edhe psikologen e tyre dhe më tha që vajzat janë shumë të pabesueshme në ato që deklarojnë në video e në polici. Por siç duket, ato do t’u nënshtrohen testeve të psikologut, pas veprimeve që kanë bërë.

Cili është apeli juaj?

Ç’të them, e të mos them? Më nxinë faqen kalamajtë, e po na bëjnë gazi i botës. Sa turp që vajzat shpifin! Shpresoj që policia të gjejë të vërtetën e të gjithë kësaj historie. Të gjithë jemi në shok të vërtetë e në depresion. Mos i ndodhtë askujt kjo që na ngjau.

SHKARKO APP