Balla: Emrat për deputet nga PS-ja do të jenë risi! Uroj Albin Kurtin për fitoren
Nga zgjedhjet e 25 prillit na ndajnë më pak se 70 ditë, dhe këtë të hënë kreu i PS-së Edi Rama mblodhi drejtuesit politik të qarqeve. Për mediat, kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se listat e kandidatëve për deputetë do të jenë risi. Nga ana tjetër, Balla theksoi se PS do të respektojë afatet, kurse shtoi se selia rozë ka vetëm një aleat dhe ai është qytetari.
”Ne respektojmë afatet e vendosura nga Kodi Zgjedhor. PS ka vetëm një aleat, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Kemi marrë impute edhe nga platforma “Shqipëria që duam”, për t’ju dhënë mundësi grave dhe burrave të vendit nga çdo vend, në lista do keni djem e vajza që kanë jetuar jashtë dhe janë të gatshëm që të japin kontribute. Është e pafalshme që politika shqiptare nuk i ka dhuruar mundësi shqiptarëve jashtë që të marrin pjesë në zgjedhje. Është e pafalshme që PD dhe LSI kundërvihen ndaj vullnetit për shqiptarët që jetojnë jashtë. Listat do jenë risi. Kemi punë për të bërë, andaj na duhet ky mandat”, u shpreh Balla.
Duke u ndalur edhe tek zgjedhjet në Kosovë, Balla se partitë politike në Shqipëri duhet të marrin shembull nga zgjedhjet në Kosovë.
”Gjej rastin të përgëzoj të gjitha partitë e Kosovës, por dua ta uroj me gjithë zemër Vetëvendosjen dhe mikun tonë Albin Kurtin. Uroj që procesi i Kuvendit të ri të marrë kohën sa më të shkurtë të mundshëm. Mezi presim të punojmë me parlamentin e ri. Ne jemi motër e vëlla dhe marrim nga njëri tjetri, mësim dhe eksperienca. Sot tashmë të gjitha partitë politike duhet të pranojnë rezultatin. Uroj që çdo parti politike në Shqipëri të pranojë rezultatin, duhet të hiqet dorë nga bojkotet. Ata që humbin duhet ta kuptojnë se nuk është faji i popullit por i tyre. Mesazhi është tepër i qartë dhe duhet respektuar nga të gjithë”.