Balla nga Karbunara: Beteja jonë është transformimi i Lushnjës
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, Taulant Balla, gjatë një takimi me banorët e Karbunarës, në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, u shpreh i bindur se Bashkia e Lushnjës do të drejtohet nga një vajzë lushnjare, Eriselda Sefa.
“Zgjedhjet tashmë po bëhen vit pas viti, duke rizhvilluar zgjedhjet vendore për një mandat të shkurtër 1-vjeçar edhe pse Presidenti i Republikës duhet t’i kishte thirrur këto zgjedhje në korrik apo në gusht të vitit të kaluar, por ju e dini që presidenti ynë ka probleme me leximin e Kushtetutës dhe kuvendi ynë ka vendosur ta shkarkojë, por kjo vendimmarrje i takon Gjykatës Kushtetuese.
Unë kërkoj votëbesimin tuaj për një kandidate tepër të mirë për shkak të eksperiencës së saj në qeverisjen vendore, për shkak të eksperiencës në menaxhimin e financimeve të huaja dhe 16 viteve në nivelet e qeverisjes vendore e bëjnë Eriseldën kandidaten e duhur për të punuar apo transformuar më tej Bashkinë Lushnje me të gjitha investimet publike që kjo bashki ka nevojë”, tha Balla, ndërsa nuk kurseu kritikat për presidentin Ilir Meta, kryedemokratin Lulzim Basha dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Këto janë zgjedhje të cilat Sali Berisha dhe Ilir Meta i thirrën, jo për t’u përballur me ne sepse me ne e dinë si dalin por për t’u përballur me Lulzim Bashën, sepse secila prej tyre duhej thirrur ne kohën e duhur. Kundërshtari ynë nuk janë kandidatët e Lulit, Saliut apo Ilirit, por thirrja ime është që të kemi sa më shumë pjesëmarrje në 6 mars. Është e dukshme që Partia Socialiste me Eriselda Sefa do t’i fitojë këto zgjedhje”.