Balla prezanton kandidatet Kushi dhe Tahiraj: Mos e çoni dëm votën në ekipe që nuk njihni asnjërin

Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla zhvilloi një takim pas prezantimit të kandidatëve me gratë e vajzat e Elbasanit. Në krah të Ballës në këtë takim ishin dy kandidatet e listës së PS-së për Elbasanin, Evis Kushi dhe Desantila Tahiraj, të cilat Balla i prezantoi si profesionaliste të zonjat që në fushat e tyre i kanë dhënë shumë komunitetit:

”Kurrë më parë nuk ka pasur një listë të Partisë Socialiste me një përfaqësim kaq dinjitoz të grave dhe të vajzave të Elbasanit. Evisin nuk ka nevojë ta prezantoj. E ka bërë këtë punë në mënyrë të shkëlqyer, jo vetëm duke përfaqësuar Elbasanin, por duke përfaqësuar gratë e vajzat e Elbasanit në Kuvendin e Shqipërisë. Desantila është një mjeke e përkushtuar e cila ka marrë përsipër të bëjë detyrën e administratorit të përgjegjshëm të spitalit rajonal, një spital i cili ka njohur transformimin më të madh në të gjithë historinë e vet”,-tha Balla.

Nga ana tjetër, Balla tha se transformimet e jashtëzakonshme, reformat themelore dhe zhvillimi i mëtejshëm nuk do të jetë i mundur pa mandatin e tretë të Partisë Socialiste.

”E dua mandatin e tretë për të vijuar këtë proces transformimi. Ne nuk mund të lëmë në mes punën e nisur. Kemi bërë punë publike që askush s’mund ti imagjinonte vite më parë. Elbasani ka përfituar projekte të mëdha rikontruksioni. Shkollat kanë pësuar transformim të jashtëzakonshëm. Mos e çoni dëm votën tuaj në ekipe që nuk njihni asnjërin prej tyre, në ekipe që nuk keni për t’i parë kurrë pas këtyre zgjedhjeve. Votoni njerëz që i njihni dhe i takoni çdo ditë”.

Për më tepër, Balla përmendi edhe projektet dhe sfidat kryesore të së ardhmes. ”Bashkë me Gledin kemi filluar një fazë tjetër, atë të tranformimit të shesheve të pallateve. E di se sa të rëndësishme janë sheshet e pallateve për ju. Kemi ende shumë punë për të bërë. Janë shumë beteja të tjera që ne vijojmë. Betejen tjetër e drejton Evisi, beteja për përmirësimin e vazhdueshëm të sistemit arsimor në vend”.

SHKARKO APP