Balla: Punë të mbarë “AntiKÇK”-së
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka përshëndetur ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Në rrjetin social “Facebook”, Balla ka deklaruar se vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të emëruar 8 prokurorët e parë të SPAK tregon qartë se reforma në drejtësi nuk mund të pengohet.
Balla është shprehur se ata që thonë se kjo reformë po ecën ngadalë apo sipas tij shpresojnë se mund të pengohet dhe dështojë, kanë marrë sot një tjetër përgjigje të fortë.
“Kush thotë që reforma në drejtësi po ecën ngadalë, apo për disa syresh që ende shpresojnë se reforma mund të pengohet apo të dështojë, sot morën edhe një përgjigje tjetër të fortë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëroi tetë prokurorët e SPAK. Punë të mbarë prokurorëve specialë në luftën kundër korrupsionit dhe çdo lloj forme KÇK”, ka thënë Taulant Balla.