Balla takim me drejtuesit e Policisë në Berat, në qendër të bisedimeve lufta kundër drogës dhe goditja e grupeve kriminale
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka mbërritur sot rreth orës 14:00 në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat. I shoqëruar nga eskorta e tij, Balla ka zbritur nga makina dhe ka zhvilluar një takim me strukturat drejtuese të DVP Berat, takim që ka zgjatur më shumë se 1-orë.
Edhe pse mediat nuk u lejuan të bëheshin pjesë e takimit, burime brenda DVP Berat kanë konfirmuar se Balla ka qenë i ashpër në deklaratat e dhëna. Mësohet se Balla u ka kërkuar strukturave drejtuese të DVP Berat që të intensifikojnë punën e tyre për goditjen e grupeve kriminale dhe pastrimin e zonave të thella malore nga kultivimi i lëndëve.
Mësohet se Balla u ka tërhequr vëmendjen vartësve të tij që të vëzhgojnë edhe ndërtimet pa leje, sidomos në qendrat urbane dhe zonat turistike. Duke qenë se Berati është një qytet turistik dhe mjaft i vizituar nga vendas e të huaj, Ministri Balla u ka kërkuar gjithashtu strukturave drejtuese të DVP Berat të marrin të gjitha masat që i takojnë policisë, për mbarëvajtjen e sezonit turistik në të gjithë qarkun.
Pas daljes nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat, Balla u largua drejt bashkisë së qytetit ku zhvilloi një takim me kryebashkiakun Ervin Demo dhe më pas u largua nga Berati.
KOHA JONË SONDAZH

