Balla thirrje opozitës nga Kuvendi: Le të punojmë së bashku në shtator

Në seancën e kësaj të enjte në Kuvend, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla sërish ka folur për një bashkëpunim ku edhe i ka bërë thirrje opozitës (PD-LSI) që të punojnë me PS për Reformën zgjedhore, kjo nga shtatori kur nis edhe mandati i tretë qeverisës i Edi Ramës.

“Është në dinjitetin politik të secilëve garues që jo vetëm të njohin rezultatin, por në shtator të punojmë së bashku për vijimin e Reformës Zgjedhore të lënë në mes. Koha kur në Shqipëri votat e shqiptarëve numëroheshin nga numërues politikë duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Është një hap që duhet ta hedhim. Besoj se edhe PD e LSI, ku unë besoj se do të ketë vetëm një grup parlamentar të opozitës në shtator, të fillojmë menjëherë punën për një komision të posaçëm për vijimin e Reformës Zgjedhore.

Sa i përket votës së emigrantëve, ne e kemi votuar, i kemi hapur çelësat, KQZ filloi punën përgatitore, PD kërkoi kohë disa herë për të kthyer përgjigje dhe në fund nuk ktheu kurrë asnjë përgjigje. Kush ka dyshime se PS ka pasur interesa për të penguar votën e emigrantëve, le të shkojë në arkivat e KQZ-së dhe të shohë se kjo që thashë unë është e vërtetë”.

SHKARKO APP