Balla: Vëllai dhe djali i Rahman Rrajës e kanë vendin para drejtësisë
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka thënë ditën e sotme para strukturave të Policisë së Shtetit se djali dhe vëllai i ish-deputetit Rahman Rraja e kanë vendin para drejtësisë, duke theksuar se policia ende nuk e ka bërë punën e vet.
“Në takimin e parë që kam zhvilluar me drejtorin e përgjithshëm dhe drejtorin e Tiranës kërkesa ime ishte ndalimi dhe arrestimi i vëllait dhe djalit të ish deputetit të Fushë-Krujës, i cili është miku im, ish-kolegu im, Rahman Rraja. Ai me gjestin e dorëzimit të mandatit bëri detyrën e tij karshi qytetarëve duke u vetëndëshkuar moralisht. Ndërkohë policia e shtetit nuk e ka bërë detyrën për të ndëshkuar dy individët e lartpërmendur që e kanë vendin para drejtësisë një orë e më parë. Ajo skenë e shëmtuar në Fushë-Krujë ka një përmbajtje shumë më domethënëse sesa kapja e autorëve të saj. Ajo skenë flet për një situatë të majisur më parë nga toleranca e policisë së asaj zone që nuk i dëgjoi ankesat e banorëve dhe për pasojë zgjodhi të bëhej mburojë e paligjshmërisë duke u sjellë si e fortë me të dobtit dhe e dobët me të fortit. Ngjarja e Fushë Krujës ishte përgjigja e duhur ndaj një dështimi më të thellë sesa gurorja e konflikti që nxori dështimin e atij komisariati në sipërfaqe. Sot sapo kanë marrë emërimet drejtuesit e rinj, por shkaqet e atij dështimi janë aty dhe nuk janë vetëm në Fushë Krujë, por edhe në disa zona periferike të vendit, ku syri i drejtorisë së përgjithshme apo drejtorit të qarkut ka qenë miopë dhe duhet të hapet menjëherë. Sot jo nesër”, u shpreh Balla.